Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij nga rreziku i zhvillimit të programit bërthamor të Iranit. Qëndrimi i Tiranës zyrtare erdhi nga shefi i diplomacisë shqiptare, Igli Hasani, gjatë punimeve të Ministerialit të Evropës Juglindore, që u mbajt në Tiranë.

“Ne jemi të shqetësuar nga tensionet e përshkallëzuara në Lindjen e Mesme, përballjet e fundit midis Izraelit dhe Iranit, që paraqesin rrezik serioz për stabilitetin më të gjerë rajonal, me pasoja globale. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimet.”

Hasani ftoi palët të ulin tensionet, duke e cilësuar zhvillimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit si kërcënim serioz për mbarë botën.

“I bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e veta në kuadër të të drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike në rajon e përtej. Shqipëria iu bën thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale dhe të angazhohen në përpjekje diplomatike për uljen e tensioneve dhe në një zgjidhje të qëndrueshme politike.”

Krahas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme u ndal edhe te bashkëpunimi rajonal, duke e cilësuar si gur themeli integrimin e Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade.

“Me çeljen e grupkapitujve negociues, Shqipëria është në rrugën e duhur për të çuar përpara anëtarësimin. Synimi ynë është ambicioz, por edhe i arritshëm për të çelur deri në fund të këtij viti dhe për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027. Po punojmë me vendosmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade.”

Që prej korrikut të vitit të kaluar, Shqipëria ka mbajtur kryesimin e Ministerialit të SEECP, e cila ka në përbërje 13 vende: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.

Tv Klan

/tvklan.al