Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar nga Gjykata Speciale në Hagë lirimin e tij me kusht.
Në kërkesë thuhet se ish-presidenti i Kosovës nuk paraqet rrezik arratisjeje dhe se ka ofruar garanci financiare prej 50 mijë eurosh për të siguruar lirimin e tij.
Në kërkesë, gjithashtu, bëhet e ditur se Thaçi është i gatshëm të pranojë disa kushte. Përveç garancisë financiare, ai premton se nuk do të largohet nga territori i Kosovës, do të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.
Thaçi merr përsipër të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi në media apo rrjete sociale, si dhe të mos diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit mbrojtës.
Ndërkaq, trupi gjykues në Hagë do të shqiptojë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit më 16 shtator 2026, në orën 10:00.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998–1999, gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.
Të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima. Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.
Mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar, ndërsa janë pranuar me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë gjatë tri viteve të seancave gjyqësore.
Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt, ndërsa ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë që prej arrestimit në vitin 2020.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë dhe në diasporën shqiptare, ku janë organizuar protesta, pasi shumë e kanë parë Hagën si të njëanshme, duke qenë se në gjykim nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 