Hekurudha Durrës-Prishtinë, do të ketë si urë ndërlidhëse Shkodrën. Kështu deklaroi zv.kryeministrja Belinda Balluku në fjalën e mbajtur në prezantimin e studimit të fizibilitetit të këtij projekti që quhet edhe “hekurudha kuqezi” që lidh Shqipërinë me Kosovën.
“Unë i kam parë të 3 variantet, mund të kishte zgjidhje më të lehta. Shkodra është kryeqendra e veriut, e meriton që të jetë nyja ndërlidhëse e kombit tonë. Shkodrës i takon plotësisht me ligj dhe kanun ta ketë këtë stacion të kombit shqiptar një stacion hekurudhor, të jetë jo vetëm një stacion tranzit, por një stacion si në vende evropiane.”
Balluku e cilësoi si tejet të rëndësishme dhe historike realizimin e këtij projekti infrastrukturor të përbashkët me Kosovën, pasi e kthen Shqipërinë në një nyje ndërlidhëse të 3 korridoreve evropiane dhe do t’i japë një rëndësi të veçantë gjithë zhvillimit politik dhe gjeopolitik Evropës Juglindore.
“Është hekurudha kuqezi. E kthen kombin shqiptar në pol magnetizimi për ekonominë. Korridoret e infrastrukturës dhe energjetike nuk janë rajonale, por evropiane. Kjo hekurudhë do të lidhet përmes Korridorit të 8 përmes të gjitha akseve të tjera që janë bërë publike. Gjithashtu, do të lidhet dhe me Korridorin e 10, por nga ana tjetër prek edhe korridorin Adriatiko-Jonian në një gjatësi shumë të rëndësishme të tij rëndësi të veçantë për zhvillimin ekopnomik të Evropës Juglindore.”
Në prezantimin e projektit të studimit të fizibilitetit të variantit të 3-të ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës. Hekurudha Durrës-Kosovë është rreth 105 km e gjatë, ka 43 ura, 40 tunele me gjatësi prej 35 kilometrash dhe 7 stacione të reja.
Tv Klan