Policia e Tiranës ka arrestuar sot në 7 maj, dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Siç bën me dije gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, në pranga ka rënë teknologia, si dhe kuzhinieri i kompanisë katering, që shpërndante ushqimin në tre vakte për studentët dhe shpalli në kërkim administratoren.
Studentët që u helmuan kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje të forta barku.
Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim, serume dhe janë kthyer sërish në Akademinë e Sigurisë.
56 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë shfaqur probleme shëndetësore, që dyshohet se kanë ardhur si pasojë e helmimit nga ushqimi.
Studentët janë ndjerë keq pas konsumimit të drekës në ambientet e Akademisë, duke shfaqur komplikacione që kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore.
Ndërkaq, Policia me anë të një deklarate për mediat jep më shumë detaje në lidhje me helmimin masiv. Sipas efektivëve të kryeqytetit, dyshohet sejanë helmuar në total 56 studentë të Akademisë së Sigurisë.
Në pranga në lidhje me ngjarjen ka rënë kuzhinieri dhe teknologia ushqimore, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja e kompanisë së kontraktuar për të ofruar ushqimin.
Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
“Tiranë
Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe.
Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve””, njofton Policia.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka reaguar për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Sipas kësaj ministrie, menjëherë pas paraqitjes në spital të të helmuarve, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast.
“Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave.
Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit”, thuhet në reagim.
NJOFTIM PËR MEDIAN
Ditën e djeshme, më datë 06.05.2026, rreth 50 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT, të dyshuar për helmim nga ushqimi.
Menjëherë pas paraqitjes së tyre, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast.
Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave.
Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, studentët janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas helmimit të 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar, duke kryer kontrolle në subjektin që furnizonte institucionin me ushqim.
Sipas AKU-së, inspektimet janë zhvilluar si në ambientet e Akademisë së Sigurisë, ashtu edhe në kuzhinën e subjektit privat në Garnizonin “Skënderbej” në Tiranë. Gjatë kontrolleve janë marrë mostra të produkteve ushqimore për analiza mikrobiologjike dhe janë bllokuar sasi të konsiderueshme ushqimesh.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se janë konstatuar shkelje që lidhen me mungesën e sistemit të plotë të gjurmueshmërisë, për të cilat janë vendosur gjoba administrative. AKU thekson se do të vijojë monitorimin e rastit deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe garantimin e sigurisë ushqimore.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet një komunikimi ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.
Menjëherë nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin privat, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë këtij institucioni, ushqim që vjen i gatshëm prodhuar në ambientet e garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë. Sipas kontrollit të ushtruar të ambientet e kuzhinës së vendosur brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme.
Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti privat, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë.
Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit me adresë “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, ku u konstatua se OBU nuk u gjet në proces pune pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara.
Në subjekt nuk u konstatua produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese. Për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftimin e AKU-së.
/tvklan.al












Botërori 2026 