Kërkojnë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë
Qytetarë krutanë dhe jo vetëm u mblodhën këtë të shtunë përballë bashkisë së qytetit për të protestuar për ujin e pijshëm, që u bë shkak për helmimin e rreth 600 qytetarëve.
Banorët kërkuan që përgjegjësit për këtë helmim masiv të vendosen përpara drejtësisë, si dhe të sigurohet që të pastrohen të gjithë tubat dhe rezervuarët e ujësjellësit. Problem për ta mbetet mungesa e furnizimit më ujë të pijshëm prej rreth 1 javë.
“Kërkojmë hetim, hetim, kjo punë do të vazhdojë edhe më mbrapa. Unë punoj në fasoneri, të gjithë janë të helmuar. Shkojmë në shtëpi nuk kemi ujë. Unë jam me ilaçe, ky quhet krim njerëzor!”
Nga e diela e 24 Tetorit, më shumë se 500 qytetarë mes të cilëve edhe fëmije, iu drejtuan urgjencës së spitalit të Krujës me shenja intoksikimi pas konsumit të ujit të pijshëm.
Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi se nga analizat e ujit u gjet prania e bakterit Enterokokus. Për këtë situatë Prokuroria e Rrethit Krujë ka nisur hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 