SPAK: Nga 100 mijë Lekë në 3 mln Euro, ndryshimi i emrit dhe gamës së shërbimeve

SPAK ka zbuluar dhe skemën e shit-blerjes së kompanive që përfituan tendera, por që në fakt kanë të njëjtët drejtues. Siç shihet në kontratën e shitjes, rezulton se në 2018 Valter Begaj i ka shitur 100 mijë Lekë të reja kompaninë ‘B-VAAL ENG-10’, Evis Berberit.

Kjo kompani u themelua në tetor 2017 dhe kishte dhe ka si objekt studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim objektesh ndërtimore etj.

Një muaj më pas, Berberi i ndryshon emrin kompanisë nga ‘B-VAAL ENG-10’ në DAAM. Pesë muaj më vonë, në 31 Janar 2019, Evis Berberi ia shet kompaninë Brunilda Bulit, për 500 mijë Euro.

Në 2019 në një mbledhje ku ortake është dhe Brunilda Buli vendoset zgjerimi i shërbimit të kompanisë me ndërtim i impianteve eolike, impianteve fotovoltaike dhe impianteve hidrike për prodhimin e energjisë elektrike, prodhimin e energjisë termike nga burime të rinovueshme. Këto lëvizje janë bërë teksa Berberi do të emërohej drejtor i Agjencisë së Eficiencës së Energjisë.

Në 23 Dhjetor 2021, Brunilda Buli ia shet sërish kompaninë shokut të Evis Berberit, ish-ortakut Valter Begaj, tashmë për rreth 2 milionë Euro.

Pas afro 2 muajsh, në 21 Shkurt 2022, Valter Begaj ia shet kompaninë Ervis Lamit për rreth 2 milionë Euro. Një muaj më vonë, Ervis Lami ia shet sërish kompaninë DAAM Valter Begajt me vlerë zero Lekë.

Klan News