Për rreth 4 orë ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni ka dhënë deklarime në Prokurorinë e Posaçme. Gjoni u paraqit në dyert e SPAK për t’u pyetur si person që ka dijeni për çështje që po hetojnë prokurorët e posaçëm.

Ish-deputeti nuk ka një çështje të hapur penale ndaj tij, por Klan News mëson se është thirrur për tu pyetur për hetimet që SPAK po kryen ndaj Ilir Metës. Bëhet fjalë për dosjen CEZ-DIA dhe atë të lobimeve të LSI-së. Besohet se ish-këshilltari i Ilir Metës, është pyetur pikërisht për një nga këto dy çështje që janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Pas daljes nga dhomat e marrjes në pyetje, Ralf Gjoni tha se nuk është marrë në hetim, por është pyetur për çështje që i takojnë periudhës kur ka qenë funksionar shtetëror.

“Si shtetas Ralf Gjoni në cilësinë e të angazhuarit në pozicione shtetërore. Ju besoj e dini që nuk ka ndonjë arsye për të më hetuar mua. Jo nuk kam qenë pjesë e dosjes së ish-Presidentit Meta sepse unë nuk kam pasur kontakt me zotin Meta gjatë presidencës. Bëhet fjalë për një periudhë inaktive timen. Prezenca ime sot këtu ka të bëjë me mbështetjen që i duhet dhënë këtij institucioni për të përmbushur shpresat e shqiptarëve.”

Gjoni ka qenë këshilltar i Ilir Metës në kohën kur ai ishte në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Pas këtij  posti, Gjoni u bë deputet nga djegia e mandateve të deputetëve të asaj kohe të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike. Ralf Gjoni gjithashtu ka mbajtur edhe detyrën e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në LSI.

Klan News