10 milionë Euro pasuri u sekuestruan nga Prokuroria e Tiranës me dyshimet se janë të krijuara nga administratorët e mikrokredive me anë të mashtrimit dhe vjedhjes së qytetarëve.

Me anë të një njoftimi, Prokuroria tha se u bllokuan pasuritë në llogari bankare në emër të  Arben Meskutit, Kejda Seferit, Elda Ibro, familjarëve të tyre dhe subjekteve ‘Microcredit Albania’ dhe “Final’ shpk.

Të ardhurat sipas hetuesve janë krijuar nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë.

Më pas ata u jepnin kredi të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara.

Verifikimet e kryera nga Prokuroria treguan administratorët nën hetim tashmë kishin investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4% deri në 10.5%.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Tiranës lëshoi 9 masa sigurie, për administrator të subjekteve të mikrokredive dhe përmbarues ligjor me dyshimet se kishin vënë në jetë një skemë zhvatje.

Tv Klan