Ben Affleck ka pranuar se ka përdorur inteligjencën artificiale gjatë realizimit të filmit të tij të ri, “Animals”, ku është njëkohësisht regjisor dhe protagonist.

Gjatë eventit “Screentime” të Bloomberg, aktori dhe regjisori tha se AI është përdorur në disa aspekte të filmit, por nuk preferoi të zbulonte detaje.

“E kam përdorur për shumë gjëra në këtë film. Hezitoj pak të them saktësisht se për cilat gjëra bëhet fjalë madje edhe të flas për këtë, sepse në punën time ne përpiqemi të krijojmë iluzionin e realitetit, apo jo?”, u shpreh Affleck.

Fituesi i “Oscar”-it e krahasoi këtë me një shfaqje magjie.

“Është pak a shumë si të shkosh në një shfaqje magjie dhe magjistari të dalë në skenë e të thotë: ‘Para se të filloj, dua vetëm t’ju bëj me dije se ka edhe një lepur tjetër poshtë’.”

Affleck e cilësoi “Animals” si një film shumë njerëzor dhe një shembull të mirë të mënyrës se si AI mund të përdoret në mënyrë etike në industrinë e filmit.

“Është një tjetër formë e teknologjisë kompjuterike… një zhvillim teknologjik që përshtatet plotësisht me vargun e gjatë të përmirësimeve teknologjike që kemi bërë në industrinë e filmit dhe televizionit”, tha ai.

Megjithatë, Affleck theksoi se nuk beson se AI mund të krijojë një film që njerëzit do të duan ta shohin vetëm duke u bazuar në një komandë të shkruar.

Në mars, Affleck i shiti Netflix-it startup-in teknologjik InterPositive, i cili përdor AI për të ndihmuar në proceset e post-produksionit. Ai ka theksuar se teknologjia duhet të përdoret në mënyrë që të mbrojë krijimtarinë njerëzore dhe artistët.

/tvklan.al