Hillary Clinton është paraqitur për të dëshmuar këtë të enjte para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që po heton krimet e Jeffrey Epstein.
Ish-sekretarja e shtetit dhe ish-kandidate presidenciale ra dakord së fundmi që së bashku me bashkëshortin e saj, ish-presidentin Bill Clinton, të dëshmojnë pasi më herët kishin refuzuar.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, por Clinton bëri publike në rrjetet sociale deklaratën e saj hapëse, ku mohon të ketë informacion mbi krimet e Epstein dhe akuzon komisionin për anshmëri politike.
“Nuk më kujtohet ta kem takuar ndonjëherë z. Epstein. Nuk kam fluturuar kurrë me aeroplanin e tij dhe as nuk kam vizituar ishullin, shtëpitë apo zyrat e tij. Nuk kam asgjë për të shtuar për këtë”, u shpreh Hillary Clinton, ish-sekretare e shtetit.
Clinton ka thënë edhe më herët se nuk ka pasur kurrë kontakte me Epstein, por është takuar me bashkëpunëtoren e tij kryesore Ghislaine Maxwell, e cila mori pjesë edhe në dasmën e vajzës së çiftit presidencial.
Ndërsa Bill Clinton, i cili do të dëshmojë të premten, ka pasur një raport më të afërt me Epstein, ku shfaqet në foto në pronat e tij apo në udhëtime me avion.
Megjithatë ish-presidenti ka mohuar të ketë pasur lidhje apo dijeni për krimet e kryera nga Epstein.
Bill Clinton ka thënë se i ka ndërprerë lidhjet me Epstein dy dekada më parë dhe ka shprehur keqardhje që ka qenë i lidhur me financierin, i cili vdiq në vitin 2019.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
