08 nëntor 2026-Një 22-vjeçar ka hequr flamurin gjerman nga shtiza përpara ndërtesës së Parlamentit Federal të Gjermanisë, në Berlin, dhe e ka zëvendësuar atë me flamurin palestinez.

Ngjarja është konfirmuar nga policia gjermane, e cila bëri të ditur se i riu është arrestuar.

Sipas autoriteteve, 22-vjeçari është ngjitur në shtizën e flamurit rreth orës 11:30, me ndihmën e pajisjeve të posaçme për ngjitje, dhe ka hedhur në tokë flamurin gjerman.

Më pas, ai ka zbritur vetë nga shtiza, ku është vënë në pranga nga policia.

Në këtë veprim dyshohet se e kanë ndihmuar edhe dy persona të tjerë, përkatësisht 20 dhe 32 vjeç.

Policia ka nisur hetimet për disa vepra të dyshuara penale, mes tyre fyerja e shtetit dhe simboleve të tij, dëmtimi i pronës publike dhe hyrja e paligjshme në një pronë.

Flamuri palestinez u hoq më pas me ndihmën e zjarrfikësve. Ndërkohë, flamuri gjerman nuk u vendos menjëherë pasi gjatë incidentit ishte dëmtuar mekanizmi i ngritjes së tij.

Ndërtesa e Reichstagut është selia e Bundestagut, parlamentit federal gjerman. Flamuri i madh që valëvitet përpara saj njihet si “Flamuri i Bashkimit” dhe simbolizon ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990.

/tvklan.al