Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Gati një vit më parë, kamera jonë ka shkuar në Manzë dhe ka parë se ngrohja gatimi, por edhe ndriçimi këtu bëhej vetëm me dru. 40 familje të lagjes së Gjokajve prej 10 vjetësh, nuk kanë parë dritë në shtëpitë e tyre. Çdo gëzim apo hidhërim, përcillej me qiri.

Banorët janë ankuar në kryeministri, sivjet në prefekturë dhe më pas tek kryetari i ri i bashkisë së tyre. Por pas shumë sorollatjeve, pak ditë më parë është vendosur shtylla dhe kabina e tensionit të lartë. Kjo i ka bërë optimist banorët, të cilët menduan se dritat do të vinin shumë shpejt, mirëpo deri tani asgjë.

Kjo përfaqësi e banorëve pa drita, sot shkoi të ankohej në drejtorinë e përgjithshme të KESH-it, ku ky i fundit ka dhënë 24 milion lekë të reja për vendosjen dhe funksionimin e kabinës së tensionit të lartë. Sipas drejtorit të filialit të Durrësit, kjo punë do të përfundojë brenda një jave, po kështu dhe historia dhjetë vjeçare e errësirës në Manzë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti