Rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” te “E Diela Shqiptare” nis këtë sezon të ri me historinë prekëse dhe tejet frymëzuese të rrëfyer nga Anisa për motrën e saj Noemin.

Noemi është një vajzë, e cila ka lindur me sindromën Down, jeta është treguar disi e padrejtë me të, sepse ajo nuk ka arritur kurrë që të njohë babain e saj, pasi ai ndërroi jetë katër muaj para lindjes së saj, nga një sëmundje e keqe.

Megjithatë, Noemi, me forcën dhe pozitivitetin e saj, vazhdon të jetë shumë aktive në biznesin familjar dhe në shoqëri. Në qendrën për të moshuar të familjes, ajo ka rolin kryesor, është psikologia! Personi më i dashur për të moshuarit, për të cilët kujdeset me shumë dëshirë dhe u jep një mbështetje shumë të madhe psikologjike.

Ardit Gjebrea: Noemi ka dhe një zyrë të vogël në mos gaboj.

Anisa: Po! Noemi siç e thashë ka shumë talente. Ne kemi hapur një aktivitet, një qendër për të moshuarit dhe Noemi është pjesë aktive e kësaj qendre. Ka një rol shumë të rëndësishëm, e quan veten psikologia e qendrës, sepse kujdeset për të moshuarit, i mban me muhabet dhe me biseda, i bën që të ndjehen më të lumtur. U përçon shumë pozitivitet. Gjithmonë kërkon në internet se çfarë aktivitet mund të bëjë me të moshuarit. U jep çajin e pasdites me biskota. Ka marrë një rol shumë aktiv jo vetëm në aktivitetin tonë, por edhe në shoqëri.

Ardit Gjebrea: Madje ju korrigjon kur ju nuk përdorni terminologjinë e duhur, e vërtetë?

Anisa: Është shumë e vërtetë, na mban gjithmonë në vijë!

Ardit Gjebrea: Kur dëgjon fjalën pleq, çfarë thotë?

Anisa: Mërzitet shumë! Thotë jo e keni shumë gabim, ata janë të moshuar, ose mosha e tretë.

/tvklan.al