Pas ngjarjes së rëndë, në Sarandë shkoi drejtori i Policisë, Skënder Hita. Ai zhvilloi një analizë me strukturat e Komisariatit, ku kërkoi rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur këtë të diel, por edhe për ngjarje të kaluara.

Po ashtu, Hita kërkoi një skanim tërësor të situatës operative, nga evidentimi i konflikteve më të mprehta deri te konfliktet më të vogla, identifikimin e personave me precedent, si dhe të kontingjentit kriminal që është në zonë, por edhe atij shëtitës.

“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre.

Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale.”

Kjo verë u shoqërua me disa ngjarje të rënda kriminale në Sarandë dhe Ksamil, përfshirë vrasjen e një 20-vjeçari portugez në Ksamil, një vrasje pas një konflikti në Sarandë dhe disa raste plagosjesh me armë apo mjete prerëse.

Klan News

/tvklan.al