Qeveria e kryeministrit Rob Jetten i ka dhënë miratimin propozimit të Komisionit Evropian që më datë 14 korrik të mbahet konferenca e radhës ndërqeveritare e BE-së me Shqipërinë, ku do të mbyllen tre kapituj. Ky është dokumenti zyrtar i qeverisë holandeze, ku Haga bën të ditur se e mbështet këtë propozim, duke vlerësuar se Shqipëria ka përmbushur standardet e vendosura për këta kapituj.

“Qeveria përkrah analizën e Komisionit Evropian se Shqipëria i ka përmbushur kriteret që lidhen me sistemin e kërkimit shkencor, kuadrin institucional për arsimin dhe kulturën, si edhe përafrimin e legjislacionit në fushën e marrëdhënieve me jashtë, përfshirë kontrollin e eksporteve dhe mekanizmat për shqyrtimin e investimeve të huaja”.

Holanda thekson se pret që Shqipëria të vijojë progresin në fushën e shtetit të së drejtës.

“Sa i përket shtetit të së drejtës, qeveria pret që Shqipëria të vazhdojë ndërtimin e një historie rezultatesh konkrete, veçanërisht në fushën e pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe mbrojtjes së të drejtave themelore”.

Burime diplomatike evropiane tregojnë se procesi i negociatave po ecën sipas planit të dakorduar nga Brukseli dhe Tirana, me qëllim finalizimin e këtij procesi brenda një periudhe njëvjeçare.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm pritet që të shqyrtojë brenda kësaj jave draft-pozicionet e përbashkëta të Bashkimit Evropian për tre kapitujt.

I mbetet më pas Presidencës irlandeze të konfirmojë zyrtarisht zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare më 14 korrik.

Me këtë hap, Shqipëria do të mbyllë për herë të parë kapituj negociues në procesin e anëtarësimit, duke hyrë në një fazë të re të negociatave me Bashkimin Evropian.

Klan News

/tvklan.al