Homo erectus, një nga paraardhësit më të hershëm të njeriut modern, mund të ketë qenë shumë më i përshtatur me mjediset e vështira nga sa mendohej deri më tani. Dy studime të reja shkencore, të publikuara në revistën prestigjioze “Nature”, zbulojnë se kjo specie ka jetuar në pyjet e dendura tropikale të Azisë, një mjedis që deri më sot konsiderohej i papërshtatshëm për të.
Zbulimi u bë në dy shpella, Baxian dhe Naxian, në provincën Guangxi të Kinës jugore, ku studiuesit gjetën tetë dhëmbë të fosilizuar. Pesë metoda të ndryshme datimi, të aplikuara te fosilet dhe sedimentet përreth, treguan se Homo erectus kishte jetuar në këtë zonë rreth 324 mijë deri në 184 mijë vjet më parë.
Deri më tani, shkencëtarët mendonin se kjo specie ishte zhdukur nga pjesa kontinentale e Euroazisë rreth 400 mijë vjet më parë. Gjetjet e reja ndryshojnë këtë tablo dhe dëshmojnë se Homo erectus kishte mbijetuar shumë më gjatë në rajone ku nuk pritej të gjendej.
Tetë dhëmbët iu atribuuan kësaj specieje në bazë të madhësisë dhe formës së tyre, ndërsa identifikimi i disa prej tyre u konfirmua edhe përmes analizave të proteinave të lashta.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm lidhet me mjedisin ku jetonin këta paraardhës. Analizat e izotopeve të karbonit në dhëmbë treguan se Homo erectus ishte përshtatur me pyjet e dendura tropikale, një habitat që deri më tani mendohej se ishte pushtuar me sukses vetëm nga Homo sapiens.
“Zbuluam prova se Homo erectus mbijetonte në një mjedis kërkues, me të cilin normalisht nuk e lidhim këtë specie”, u shpreh Kira Westaway nga Universiteti Macquarie në Australi, bashkëdrejtuese e studimit.
Analizat zbuluan gjithashtu se këta individë mund të përshkonin distanca të konsiderueshme. Izotopet e stronciumit në dhëmbët e gjetur në shpellën Baxian nuk përputheshin me përbërjen gjeologjike të zonës përreth, por me rajone më të largëta, si veriu i Vietnamit.
Sipas studiuesve, kjo tregon se Homo erectus kishte aftësi të konsiderueshme për lëvizje, përshtatje dhe mbijetesë, tipare që zakonisht lidhen me njeriun modern.
Homo erectus u shfaq në Afrikë rreth dy milionë vjet më parë dhe konsiderohet si një nga speciet njerëzore me jetëgjatësinë më të madhe në historinë evolucionare. Ai u përhap në Euroazi, deri në ishullin Java të Indonezisë, ku janë zbuluar fosile të kësaj specieje që datojnë rreth 110 mijë vjet më parë.
Kjo specie lidhet gjithashtu me zhvillimin e veglave më të përparuara prej guri, përdorimin e zjarrit dhe një mënyrë lëvizjeje të ngjashme me atë të njeriut të sotëm.
Studiuesit mendojnë se Homo erectus ka qenë gjithashtu një specie paraardhëse nga e cila u zhvilluan Neandertalët rreth 400 mijë vjet më parë dhe Homo sapiens rreth 300 mijë vjet më parë.
Zbulimi në Kinë sfidon edhe një nga hipotezat e mëparshme mbi zhdukjen e Homo erectus. Shkencëtarët kishin menduar se përhapja e pyjeve tropikale mund të kishte ndikuar në zhdukjen e tij, pasi kjo specie konsiderohej e përshtatur kryesisht me savanat dhe zonat me bimësi të rrallë.
“Ky studim i ri ndryshon këtë pamje, pasi tashmë kemi prova se Homo erectus jetonte në pyje të dendura tropikale në Kinën kontinentale. Kjo hap një kapitull të ri në kuptimin tonë për këtë specie dhe vë në pikëpyetje supozimet mbi arsyet e zhdukjes së saj përfundimtare nga Java”, theksoi Westaway.
Një tjetër mundësi interesante që ngre zbulimi është ajo e një takimi të mundshëm mes Homo erectus dhe Gigantopithecus, majmunit më të madh të njohur deri më sot.
Ky primat gjigant mendohet se mund të arrinte deri në tre metra lartësi kur qëndronte në këmbë dhe të peshonte rreth 300 kilogramë. Ai jetonte në të njëjtën zonë dhe afërsisht në të njëjtën periudhë me Homo erectus.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk ka prova që të dyja speciet janë takuar realisht. Ajo që tregojnë zbulimet e reja është se mundësia e një bashkëjetese të tillë është tashmë më e madhe nga sa mendohej më parë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
