Teherani ka lëshuar një paralajmërim të fortë se do të minojë të gjithë Gjirin Persik dhe Kanalin e Hormuzit, nëse Shtetet e Bashkuara bombardojnë impiantet e tij energjetike. Ky kërcënim vjen si përgjigje ndaj ultimatumit të presidentit Donald Trump, i cili u dha iranianëve 48 orë afat për hapjen e kanalit për kalimin e lirë të naftës. Afati i vendosur nga Uashingtoni pritet të skadojë sonte pas mesnate, sipas orës sonë lokale.
Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se do të godasë si kundërpërgjigje centralet energjetike të Izraelit dhe vendeve të rajonit që strehojnë baza amerikane. Teherani e cilësoi çdo sulm mbi sektorin e tij të energjisë si një akt “çnjerëzor” që godet spitalet dhe shërbimet jetike. Paralelisht, Irani po lëviz drejt monetizimit të kanalit, duke paralajmëruar tarifa deri në 2 milionë dollarë për çdo cisternë nafte që kalon aty.
Situata kritike u diskutua në një telefonatë urgjente mes presidentit Trump dhe kryeministrit britanik Keir Starmer. Të dy liderët ranë dakord se hapja e Kanalit të Hormuzit është thelbësore për stabilitetin e tregut global të energjisë. Trump ka kritikuar hapur aleatët evropianë për hezitimin e tyre për t’u përfshirë ushtarakisht në këtë konflikt.
Ndërkohë, Izraeli kreu këtë të hënë një valë të gjerë sulmesh ajrore ndaj infrastrukturës iraniane, duke goditur objektiva në Teheran dhe qytete të tjera. Ky konsiderohet si sulmi më i rëndë që nga fillimi i konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në javën e tij të katërt.
Shtetet e Bashkuara shkatërruan një fabrikë në Iran për prodhimin e motorëve për dronë.
Tensionet janë përhapur në gjithë Gjirin Persik, ku Arabia Saudite njoftoi se ka shkatërruar dy raketa balistike iraniane që synonin kryeqytetin, Riad. Në këtë atmosferë lufte, Anwar Gargash, këshilltar i lartë në Emiratet e Bashkuara Arabe, kritikoi ashpër vendet e mëdha myslimane për mungesë solidariteti. Sipas tij, është e papranueshme që këto vende nuk po mbështesin Emiratet ndërkohë që ato po goditen rëndë nga agresioni iranian.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 