Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka vlerësuar se kriza e vazhdueshme politike dhe moskrijimi i institucioneve të reja po ndikojnë drejtpërdrejt në raportet e Kosovës me partnerët e saj strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe një qeveri me mandat të plotë, në mënyrë që të avancojë objektivat e saj kryesore në politikën e jashtme dhe zhvillimin e brendshëm.
Sipas Hovenierit, situata aktuale politike ka krijuar pasoja në bashkëpunimin me Uashingtonin. Ai përmendi pezullimin e Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-ve si një shembull të qartë sesi bllokada institucionale po ndikon në marrëdhëniet dypalëshe. Ish-diplomati amerikan nënvizoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe institucione që kanë legjitimitetin për të marrë vendime dhe për të zbatuar marrëveshje.
Ai theksoi se Kosova duhet të lëvizë më shpejt në disa çështje që konsiderohen me rëndësi të veçantë për aleatët ndërkombëtarë, duke përfshirë sektorin e energjisë, reformat institucionale dhe përmbushjen e obligimeve, që lidhen me komunitetin serb. Sipas tij, këto janë fusha ku Prishtina duhet të dëshmojë seriozitet dhe përkushtim nëse dëshiron të forcojë më tej raportet me administratën amerikane të presidentit Donald Trump.
“Është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos humbet shumë kohë me reflektime, por të gjenden fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, deklaroi Hovenier gjatë intervistës, duke shtuar se koha është një faktor i rëndësishëm në diplomaci dhe se mundësitë nuk mbeten gjithmonë të hapura.
Ai paralajmëroi gjithashtu se vëmendja dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës nuk duhet të merren si të mirëqena. Sipas tij, SHBA-të kanë prioritete të shumta në arenën ndërkombëtare dhe partnerët duhet të tregojnë gatishmëri për të ecur përpara kur krijohen mundësi bashkëpunimi.
Duke folur për situatën e krijuar pas zgjedhjeve, Hovenier nuk ia atribuoi përgjegjësinë vetëm një force politike. Ai theksoi se të gjitha subjektet parlamentare mbajnë barrën për të gjetur një zgjidhje që i jep fund ngërçit institucional.
“Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja”, u shpreh ai, duke theksuar se vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe vendimmarrje të plotë.
Sipas ish-ambasadorit, nëse ai do të ishte ende në detyrë në Prishtinë, do t’u bënte thirrje të gjitha partive politike që të linin mënjanë interesat e ngushta partiake dhe të përqendroheshin te interesi shtetëror. Ai përmendi Vetëvendosjen, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektet e tjera parlamentare si aktorë që duhet të kontribuojnë në tejkalimin e situatës.
“Nëse do të isha ende ambasador, do t’i inkurajoja të gjithë liderët politikë që të gjenin një kompromis në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”, tha ai, duke vlerësuar se përgjegjësia për funksionalizimin e institucioneve është e përbashkët.
Hovenier shtoi se Kosovës i nevojitet sa më parë një qeveri e re, zgjedhja e presidentit në kohën e duhur dhe institucione të qëndrueshme që mund të përfaqësojnë vendin me legjitimitet të plotë në raport me SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
I pyetur nëse kriza aktuale kërkon ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar, ai u shpreh optimist se një gjë e tillë mund të shmanget. Sipas tij, Kosova ka dëshmuar se është një demokraci funksionale dhe klasa politike duhet të tregojë pjekuri për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe kompromisit. /Rel/
/tvklan.al












Botërori 2026 
