Rezoluta për Shqipërinë e miratuar të martën nga Komiteti për Politike të Jashtme në Parlamentin Europian, për Ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, është dëshmi e progresit të bëra nga Tirana në rrugën drejt anëtarësimit në union.
Nga Shkodra, kryediplomati, pranoi se ka ende detyra për tu përmbushur ndërsa theksoi rendësinë e bashkëpunimit mes palëve politike për procesin e integrimit.
“Kemi shumë gjëra për të bërë. Kemi shumë gjëra për të përmirësuar por në thelb, ajo rezolutë vërteton edhe një herë rrugën e drejtë në të cilën jemi, progresin e padiskutueshëm, shkallën e bërjes së realizimit dhe rijetësimit të reformave dhe nevojën për të bërë më shumë dhe më mirë. Ne kemi një fat të mirë në Shqipëri, që mbështetja mbarëkombëtare për tu bërë pjesë e Europës është e lartë, megjithatë ne duhet të ulim zhurmën dhe të rrisim dakordësinë me njëri-tjetrin”, tha Ministri Hoxha.
Edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se dokumenti i miratuar pasqyron angazhimin e Tiranës zyrtare për të çuar përpara reformat e integrimit.
“Eurodeputetët vlerësojnë përkushtimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe mbështesin ambicjen tonë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Mirënjohje Raporterit për Shqipërinë, Andreas Schieder, për punën serioze, objektive dhe mbështetëse në pasqyrimin e arritjeve të Shqipërisë dhe të angazhimit konsistent të vendit tonë për të çuar përpara reformat dhe procesin e integrimit europian”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Raporti i Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025 paraqet një pasqyrë të plotë mbi ecurinë e negociatave, reformat e ndërmarra dhe linjëzimin e politikës së jashtme të vendit tonë me atë të Bashkimit Europian.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 