Në intervistën për televizionin e Luksemburgut RTL, kryediplomati Ferit Hoxha ka deklaruar se Shqipëria ka kërkuar nga Brukseli një fazë tranzitore kohore për realizimin e disa kushteve edhe përtej vitit të pritshëm të anëtarësimit në vitin 2030.

“Kemi kërkuar nga BE një fazë tranzitore edhe përtej objektivit tonë për anëtarësimin në vitin 2030, në fusha specifike që kërkojnë më shumë kohë, më shumë para, më shumë njerëz, më shumë energji. Kjo kohë i duhet Shqipërisë që të jetë vërtet në gjendje jo vetëm të bëjë reformat, të miratojë ligjet, por edhe të përmirësojë procedurat, të ketë institucione që funksionojnë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.”

Hoxha e sheh me pozitivitet integrimin gradual.

“Një përgjigje mund të jetë integrimi gradual, duke u dhënë vendeve në reformim akses në pjesë të sistemit evropian para anëtarësimit të plotë. Kjo përfshin tregun e vetëm, zonën e pagesave SEPA, programet e BE-së dhe roaming pa tarifa shtesë. Masa të tilla e bëjnë zgjerimin të prekshëm për qytetarët, të cilët përndryshe mund të prisnin me vite për përfitimet e tij.”

Shqipëria, sipas Hoxhës, është e gatshme të pranojë në këtë moment edhe statusin e vëzhguesit në institucionet ndërkombëtare.

“Shqipëria është e gatshme që të angazhohet në traktatin e saj të ardhshëm të pranimit me BE-në për të mos përdorur veton. Pse të mos jemi atje si vëzhgues? Nuk mund të votojmë, por mund të shkëmbejmë pikëpamje, të mësojmë dhe të përgatitemi. Kjo do t’u lejonte gjithashtu nëpunësve civilë shqiptarë të kuptonin se si merren vendimet evropiane përpara se ata të duhet të ndihmojnë në administrimin e tyre si anëtarë.”

Hoxha theksoi se Shqipëria është pioniere e metodologjisë së re që kërkonte përmbushjen e standardeve të ndërmjetme me raportin IBAR, para se të fillonte me mbylljen e kapitujve.

Klan News

/tvklan.al