Ceremonia prestigjioze “GQ Men of the Year 2025” u mbajt mbrëmjen e 10 dhjetorit, ku morën pjesë shumë figura të njohura të artit dhe showbiz-it turk. Eventi u moderua nga aktori Erkan Kolçak Köstendil dhe aktorja Şükran Ovalı, ndërsa personalitetet më të spikatura të vitit u vlerësuan me çmime në kategori të ndryshme.

Burak Dakak u shpall “Ylli në Ngjitje i Vitit”, një çmim që iu dorëzua nga Demet Akbağ. Aktori mori pjesë në ceremoni së bashku me të fejuarën e tij, Leyla Tanlar.

Serkan Çayoğlu u nderua me “Çmimin e Arritjes Mbresëlënëse”. Në fjalimin e tij, Çayoğlu tha se këtë vit shënon 13 vjet karrierë dhe se ndihet krenar për rrugëtimin e tij. Ai falënderoi bashkëpunëtorët, familjen dhe në mënyrë të veçantë bashkëshorten, aktoren Özge Gürel, të cilën e quajti “më të çmuarën”.

Okan Bayülgen mori çmimin “Zamansızlık” (Përjetësia), ndërsa çmimi iu dorëzua nga këngëtari Mirkelam.

Sinem Ünsal, e cila luan dhe rolin e Aljas në serialin “Qyteti i Largët” (Uzak Şehir) që transmetohet nga e hëna në të shtunë në ekranin e Televizionit Klan, u shpall “Gruaja e Vitit”. Ajo u shfaq në tapetin e kuq së bashku me partnerin e saj, aktorin Berk Cankat.

Aras Aydın, protganosit në serialin “Zemër e zezë”, i transmetuar në Tv Klan, dhe i njohur edhe për rolin në serialin ndërkombëtar “Nine Perfect Strangers” me Nicole Kidman dhe fitues i çmimit në Festivalin e Venecias, u vlerësua me “Çmimin Ndërkombëtar të Arritjes”.

Gjatë fjalimit, ai u emocionua teksa kujtoi babanë e ndjerë dhe ia dedikoi çmimin nënës. Aydın përmendi edhe partneren, Melis Birkan, duke e quajtur “dritën” e jetës së tij.

Mert Yazıcıoğlu, ylli i serialit “Kuruluş Orhan”, u shpall “Aktori i Vitit”, ndërsa çmimi iu dorëzua nga Ibrahim Selim. Çmimi i Nderit shkoi për artistin legjendar Mazhar Alanson, i cili u shfaq rrallë pas vdekjes së kolegut Ozkan Uğur dhe pas humbjes së vajzës së tij. Çmimin ia dorëzoi këngëtari Kenan Doğulu.

Reperi Emirhan Çakal u shpall fitues i “Hype të Vitit”, ndërsa “Burri me Stil i Vitit” u zgjodh Rafael Cemo Çetin, i cili mori çmimin nga artistja Zeynep Bastık.

Edis Görgülü u nderua me titullin “Njeriu i Muzikës i Vitit”, me çmimin e dorëzuar nga këngëtarja Aleyna Tilki. Çmimi për “Sportistin e Vitit” iu dha futbollistit të Galatasaray-t, Victor Osimhen.