Humbja e Napolit 0-2 kundër Lacios ka afruar më shumë Interin me titullin kampion në Serinë A. Pas disfatës në “Maradona”, Antonio Konte e sheh veten -12 pikë nga kryesuesit, të cilët kanë nisur llogaritë për festën zyrtare.

Golat e Kançelierit në minutën e gjashtë dhe Bashiç në të 57-tën bënë që kampionët në fuqi të dorëzohen pa kushte.

Fitorja e Lacios u festua në Milanon zikaltër, ku Interi mund të shpallet zyrtarisht kampion me 4 pikë të grumbulluara në ndeshjet e mbetura. Por nuk është çudi që matematikisht llogaritë ta kurorëzojnë për herë të 21-të në historinë e Serisë A edhe në fundjavën e ardhshme, në rast se Kivu bën detyrën kundër Torinos, Napoli nuk do të fitojë me Kremonezen dhe Milani përballë Juventusit.

Tre fitoret radhazi të Interit në kampionat përballë Romës, Komos dhe Kaljarit ndihmuan për të krijuar sprintin final ndaj rivalëve që nuk e mbajtën dot ritmin. Madje Masimiliano Alegri nuk ka pritur zyrtarizimin e titullit, por ka uruar trajnerin rival.

“Kivu ka bërë një punë të shkëlqyer. Të fitosh titullin kampion në vitin e parë është diçka e jashtëzakonshme. Dua ta komplimentoj atë dhe Interin.”

Pas 33 ndeshjesh të luajtura, Interi ka arritur të sigurojë 75 pikë falë 25 fitoreve, 3 barazimeve dhe 5 humbjeve.

Tv Klan

/tvklan.al