Arsenali ka pësuar humbjen e parë të sezonit, teksa u mposht me rezultatin e thellë 3-0 nga Brighton në transfertë. “Topçinjtë” zhvilluan një paraqitje larg pritshmërive dhe nuk arritën të gjenin ritmin e tyre gjatë ndeshjes, ndërsa Brighton shfrytëzoi më së miri hapësirat dhe gabimet e kundërshtarit.

Kjo humbje i jep fund serisë pozitive të Arsenalit dhe shërben si një sinjal i qartë se gara në Premier League nuk fal asnjë lëshim. Pas ndeshjes, Mikel Arteta pranoi zhgënjimin e madh nga kjo sfidë.

“Jashtëzakonisht i zhgënjyer. Por, së pari, mendoj se duhet ta përgëzojmë Brightonin për fitoren. Mendoj se e merituan, ata ishin skuadra më e mirë. Nga ana jonë, kishte disa gjëra bazë që duhet t’i bësh në futboll, sidomos në Premier League, dhe ne ishim shumë larg tyre. Të fitosh duelin e parë, topin e dytë… kjo ndikoi shumë në lojë, veçanërisht duke parë sa direkt luajtën ata në një zonë që ishte shumë e vështirë për ne”.

Trajneri spanjoll e cilësoi humbjen si një “mësim të madh” për skuadrën.

“Mund ta shihje që nga rivënia e parë anësore, ishte shumë e qartë. E vumë veten në vështirësi një, dy, tre herë. Duhet të dalim shumë më shpejt nga ato situata dhe ky është një nga mësimet më të mëdha që duhet të marrim nga kjo ndeshje.”

Pas kësaj disfate, Arsenali do të ketë mundësinë të reagojë pas pushimit të kombëtareve. Ndeshja e radhës do të jetë përballja me Leeds, ku skuadra e Mikel Artetës do të kërkojë të rikthehet te rezultatet pozitive dhe të lërë pas humbjen e rëndë ndaj Brighton.

Klan News

/tvklan.al