Protesta u zhvilluan pas një audioregjistrimi që dëshmon zyrtarë të përfshirë në korrupsion

Mijëra njerëz u mblodhën pranë parlamentit hungarez në Budapest duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeprokurorit dhe kryeministrit Viktor Orban. Protestat shpërthyen pasi një ish- zyrtar i qeverisë publikoi një videomesazh që implikon zyrtarë të tjerë qeveritarë për korrupsion. Protestuesit marshuan nga zyra e kryeprokurorit drejt parlamentit duke thirrur “Dorëheqje, dorëheqje”.

Demonstruesit kërkuan reforma të vërteta në Hungari dhe për një transformim në sistemin e qeverisjes së kryeministrit Viktor Orbán. Peter Magyar, 43 vjeç, një avokat dikur i afërt me qeverinë, para turmës u shpreh se Hungaria ishte në “krizën e saj më të madhe politike, morale dhe ligjore” që nga rënia e komunizmit. Ai bëri gjithashtu të ditur se ka në plan të hapë një parti të re për të sfiduar Orbanin.

“Problemi me politikanët aktualë është se ata nuk kanë integritet, nuk ka më ndershmëri. Gjithçka mendoj se këtu duhet të marrë fund. Ka pasur përpjekje për këtë shumë herë për të ndryshuar, ndoshta tani do të ndodhë diçka.”

Magyar më herët publikoi një regjistrim të një bisede me Judit Varga, atëherë gruaja e tij dhe ministre e drejtësisë e Hungarisë, në të cilën ajo detajoi një përpjekje të ndihmësve të shefit të kabinetit të Orban për të hequr disa pjesë nga dokumentet në një rast ryshfeti.

Çështja përqendrohet në ish-Sekretarin e Shtetit të ministrisë së Drejtësisë Pal Volner, i cili u akuzua në vitin 2022 për pranim ryshfeti nga ish-kreu e Gjykatës, Gyorgy Schadl. Të dy janë deklaruar të pafajshëm, por prokurorët po kërkojnë dënime me burg për të dy.

Akuzat vijnë në një kohë politikisht të rëndësishme për Orbanin përpara zgjedhjeve parlamentare evropiane në qershor dhe pas një skandali të abuzimit seksual që rrëzoi dy nga aleatët politikë të Orbanit, ish-presidentin dhe Varga muajin e kaluar.

Klan News