Arabia Saudite ka rrëzuar një dron të nisur nga rebelët Houthi në periferi të Mekës, qytetit më të shenjtë të Islamit.

Incidenti ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rajon dhe ka rritur shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, bëhet fjalë për herën e parë në gati një dekadë që Houthit kanë synuar zonën e Mekës. Një sulm i ngjashëm me raketë balistike ishte interceptuar në vitin 2017.

Por Houthit e kanë mohuar se kanë kërcënuar vendet e shenjta, duke deklaruar se objektivat e tyre ishin instalacione nafte dhe baza ushtarake saudite, larg Mekës.

Tensionet janë përshkallëzuar ditët e fundit. Houthit kanë lëshuar raketa balistike dhe dronë drejt disa qyteteve saudite, duke plagosur 13 civilë, ndërsa Arabia Saudite është kundërpërgjigjur me sulme ajrore ndaj zonave nën kontrollin e rebelëve në Jemen.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik, që përfaqëson 57 vende, ka dënuar sulmin, duke theksuar se vendet e shenjta duhet të mbrohen.

Ndërkohë, zgjerimi i kontrollit të Houthive në brigjet e Detit të Kuq shton rrezikun për transportin e naftës, në një kohë kur konflikti SHBA-Iran po ushtron presion të madh mbi rrugët strategjike të energjisë.

Çmimi i naftës ka kaluar sërish mbi 100 dollarë për fuçi, duke shtuar shqetësimet për ekonominë globale dhe koston e jetesës.

/tvklan.al