Hiqet maska në ambiente të jashtme, lejohen dasmat

Qeveria e Maqedonisë së Veriut u dha “dritë jeshile” masave të reja lehtësuese që ishin rekomanduar nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Lehtësimet e reja kanë hyrë në fuqi nga 1 Qershori. Hiqet obligimi i detyrueshëm për mbajtjen e maskave në ambiente të hapura, por mbajtja e tyre është e obligueshme në hapësira të mbyllura, transportin publik dhe vende ku ka frekuentim më të madh të njerëzve.

Gjatë thuajse shtatë muajve të obligimit ligjor për mbajtjen e maskave në Maqedoninë e Veriut, qytetarëve u janë shqiptuar 193.000 dënime për mosmbajtjen e tyre. Gjoba ka qenë 20 euro që sipas llogaritjeve duhet që mbi 3.8 milionë euro të kenë përfunduar në buxhetin e shtetit. Tashmë lejohet edhe organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare me muzikë të gjallë, por vetëm në ambiente të hapura me maksimalisht me 100 mysafirë. Qeveria ka bërë publike edhe protokollet për dasma që ishin miratuar në seancën e mbrëmshme.

“Në hyrje të lokalit të ketë mjete dezinfektuese dhe të matet temperatura, hapësira e verandave verore të jetë e hapur nga tri anë, ndalohet shtrëngimi i duarve dhe përqafimi, angazhimi i muzikantëve bëhet vetëm për dasma kurse duhet të jenë pesë metra larg tavolinës më të afërt dhe nuk guxojnë të këndojnë në mesin e mysafirëve, lejohet vallëzimi nëse sigurohet hapësirë prej 4 metrave katrorë për një person. Organizatori i dasmës duhet të dorëzojë listën e të ftuarve tek menaxheri i lokalit”.

Ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha nga shoqatat e hotelierëve dhe të muzikantëve. Hotelierët thonë se me këtë vendim, sipas tyre të palogjikshëm, tani të gjitha lokalet do të merren me organizimin e dasmave, kurse muzikantët vlerësojnë se janë të diskriminuar duke shtruar pyetjen përse vetëm muzikantët e dasmave të jenë të privilegjuar kurse tjerët nuk mund të performojnë në lokale tjera si kafeteri, bare, klube të natës.

Tv Klan