23 nëntor 2026 – Një ambient nëntokësor, i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, është zbuluar nga Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”.
Në pranga kanë rënë 10 persona, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim nga policia.
Gjatë kontrolleve në dy objekte në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, efektivët zbuluan në një magazinë një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor, siç mund ta shihni në pamjet e mëposhtme:
Hapësira ishte e ndarë në dy pjesë: njëra ishte përshtatur për kultivimin e kanabisit me llamba, ndërsa tjetra përdorej për përpunimin e lëndës narkotike.
Gjatë operacionit u arrestuan 10 persona, të moshave 18 deri në 61 vjeç, banues në Gjirokastër, Cërrik, Tiranë, Poliçan, Ishull-Lezhë dhe Mirditë.
Nga verifikimet rezultoi se njëri prej të arrestuarve, 46 vjeç, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi rreth 2 600 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike të përpunuar, të vendosur në 10 thasë plastikë.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
