Në pjesën e dytë të “Shihemi në Gjyq”, u mundësua  një lidhje telefonike me vëllain e Mirelës, Festimin,  i cili nuk pranoi të fliste duke thënë se janë në betejë ligjore për pronën në Vlorë.

Megjithatë, ai pretendon se deklarata noteriale e paraqitur në studion e së “Dielës  Shqiptare” në Tv Klan ka gabime, ndonëse s’ka asnjë dokument që ta kundërshtojë. Edhe Mirela konfirmon që ajo e Artani kanë paguar 150 mijë euro për pronën dykatëshe që sot figuron në emrin e Festimit dhe bashkëshortes së tij.

I lënduar nga fakti që Mirela në asnjë moment nuk ka shprehur qëndrim përkrahës ndaj tij, Artani shpreh zhgënjimin e thellë që ndien.

Artan: Unë kam pasur të bëj për fatin tim të keq me një bandë profesionistësh hajdutë dhe mashtrues! Duke filluar që nga e ëma, ua thashë edhe njëherë, i vëllai, Ilirit që po flisnim…unë ia kam bërë hallall 15  vjet…

Mirela: Ta ka shkruar pronën!

Artan: S’i bëj gjërat që tjetri të më përulet. E keqja qëndron tek ajo që sot nuk  pranon as lekët, pse? Se do të mbajë vëllain? Çfarë kuptimi ka?

Mirela thotë se tani ka hyrë kunata në mes, gruaja e Festimit e cila edhe gjatë telefonatës dëgjohej që udhëzonte të shoqin. Kunata pretendon se çifti kanë dhënë vetëm 30 mijë euro. Nga e gjithë situata e krijuar, Artani i bën të qartë Mirelës se ç’do të pasojë nëse çështja nuk zgjidhet.

“Edhe një gjë të fundit. Mirësia ime ka mbaruar! Sidomos për këta njerëz se ka njerëz të mirë plot. Duhet të keni parasysh, nuk  ka gjykatë që vendos për mua. Mua, në fund fare, o lekët,  o pronën, o 2 litra benzinë! Lekët, pronën ose 2  litra benzinë! Në fund e ke llogarinë me mua!”

Artani ndan ndjesitë e tij për  mosmirënjohjen që ka marrë nga familja e së shoqes të cilët i ka ndihmuar në momente të vështira. Fjalët e tij ‘acarojnë’ Mirelën që edhe pse është gabim, çka ia provon edhe  votimi i publikut që përkrahu unanimisht Artanin, mbron fisin.

Artan: Imagjino të bësh gjithë këto që kam bërë unë gjithë jetën time për këta. Nuk është se s’kam bërë për vëllanë tim, normale, për nënën, për gjithë njerëzit e mi, të bësh gjithë këtë për njerëzit e kësaj, nuk e di sesi mund ta kem bërë, ndoshta nga budallallëku, ku di unë…

Eni Çobani: Jo, e ke bërë nga dashuria, nga respekti, pa diskutim.

Artan: Dua të imagjinoni vetëm një gjë: si mund të ndihem unë brenda vetes sime që kam marrë këta njerëz që ishin duke shtypur morra.

Mirela: Ore fisin Alibeaj nuk e ul dot ti! Fisin Alibeaj nuk e ul dot, more vesh apo jo?

Artan: Si duhet të ndihem unë? Çfarë duhet të them dhe çfarë duhet të bëj unë?/tvklan.al

/tvklan.al