Në fillim të javës emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi një ngjarje të rëndë në qytetin e Sarandës. Më 27 mars 2025, një 17-vjeçar u godit tri herë me thikë në bark nga dy adoleshentë, me iniciale K.C. dhe A.B., pas një konflikti për shkak të një vajze. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, kur 17-vjeçari ishte në takim me të dashurën e tij dhe u ndoq nga autorët. Ky ishte sulmi i dytë, pasi më 22 mars ata e kishin goditur të riun më sende të forta, por ai nuk e kishte treguar këtë ngjarje nga frika.
Prindërit e viktimës akuzojnë autoritetet për mosmarrje masash duke theksuar se A.B., nuk është proceduar, ndërsa K.C., u la i lirë me detyrim paraqitje. Për këtë rast “Stop” pyeti prokuroren Esmeralda Basho, e cila bëri “të intimiduarën” nga pyetjet me kamera e mikrofon.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë nxitoi të merrte në mbrojtje një punonjëse të radhëve të veta, më parë se të shqyrtonte rrethanat e një ngjarjeje që për pak sa nuk rezultoi fatale për jetën e një të riu. KLP lëshoi një deklaratë për mediat ku nuk miratohet informacioni jo zyrtar, duke e quajtur jo zyrtar përballjen e vetë gazetarit me prokuroren.
Disa nga njerëzit e drejtësisë, ish-krerët e KLP, Alfred Balla, Tartar Bazaj por edhe Gentian Trenova, Eugen Beci dhe Arben Llangozi, dënojnë deklaratën e KLP-së duke argumentuar se gazetari ishte në të drejtën e vet.
Edhe përfaqësuesit e shoqatave të mediave, Armand Shkullaku dhe Aleksandër Cipa thonë se roli i medias është kontrolli ndaj pushteteve të tjera dhe informimi i publikut prevalon ndaj cdo argumenti tjetër.
Armand Shkullaku: Mendoj që është një reagim i pavend. Ndoshta e kanë ndier për obligim të tregojnë që janë duke bërë diçka për të justifikuar pagat e larta që marrin dhe nuk kanë me se merren tjetër. Duan t’i japin vetes një lloj veshjeje dhe një lloj mbrojtjeje që shkon përtej edhe logjikës dhe rregullit elementar. Prokurorja e Sarandës ose kryeprokurorja e Sarandës nëse doni, nuk është seli e fshehtë, nuk është Papa. Edhe Papa nëse del në rrugë, gazetari ka të drejtë t’i zgjasë mikrofonin dhe t’i bëjë një pyetje, jo më një prokurori dhe duhet t’ia kujtojë vazhdimisht, kjo nuk është detyrë, por duhet ta bëjmë se s’kemi ç’bëjmë, ata paguhen nga taksat tona, pra nuk është se paguhemi ne prej tyre, ata paguhen nga taksat tona, janë në shërbimin tonë dhe sa herë që ne do të konstatojmë se ata nuk e bëjnë siç duhet detyrën e tyre, është obligim nga ana jonë që këtë gjë ta tregojmë, pastaj sesi veprojmë, si e ndërtojmë kronikën, si e bëjmë reportazhin, si e marrim informacionin, kjo ka të bëjë me ne. KLP bën mirë që nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të mos bëhet Këshilli i Lartë i Punëtorisë, të shohë detyrën për të cilën paguhen dhe për të cilën i ka votuar ligjvënësi./tvklan.al