Mësimi dhe dija nuk njohin moshë. Në një epokë ku teknologjia është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, sfida e të nxënit duket më e madhe se kurrë. A janë brezat e sotëm më të orientuar drejt dijes, apo dija po kalon gradualisht në duart e teknologjisë, duke na bërë gjithnjë e më të varur prej saj? Përgjigjja mbetet relative, por historia e 71-vjeçarit Adi Gramatiku dëshmon se dëshira për të mësuar nuk shuhet kurrë.
I sapodiplomuar në moshën 71-vjeçare, Gramatiku beson se njohuritë fitohen gjatë gjithë jetës dhe se ato mund të vihen në funksion të përditshëm në çdo etapë të saj.
I ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” këtë të hënë, më 8 qershor, ai ndau një histori frymëzuese, jo të zakonshme, për rrugëtimin e tij akademik dhe profesional.
“Unë kam mbaruar inxhinierinë mekanike në ’77 dhe punova deri në kohën e demokracisë në profesion si inxhinier. Më tej e ndryshova profesionin, kalova në fushën e restoranteve dhe e vazhdova rreth 30 vjet ndërkohë pasi pata një problem me shëndetin në moshën 60 vjeçare, i’u ktheva nutricionit meqë dhe fusha ime ishte ushqyerja. I’u futa shumë thellë dhe më pas e ndjeva të nevojshme që desha dhe një arsimim më profesional dhe dëgjova që kishte një master nutricioni. U regjistrova me shumë siklet në fakt. Se pas 45 vjetësh të ulesh prapë në auditor si student nuk është fort e lehtë aq më tepër dhe dhe punoja.”
Megjithatë, emocionet e para nuk e penguan të bëhej një student i përkushtuar dhe me rezultate të larta.
“Fillova me siklet të madh por dola shumë mirë na fakt, mësova shumë. Ja di shumë për nder fatit që më çoi në atë fakultet. Isahte një emocion shumë i madh në fakt që të kesh në klasë studentë nga 20-22 vjeç dhe unë 70 atje brenda. S’kisha asnjë lloj stresi, isha shumë aktiv, flisja gjithmonë, nuk kisha asnjë lloj emocioni të moshës.”
Ai tregoi gjithashtu se si u prit nga pedagogët dhe studentët gjatë këtij kapitulli të ri akademik.
“Unë rrija në bankën e parë nuk shikoja se çfarë bënin mbrapa, nuk rrija asnjëherë mrapadhe shkoja gjithmonë në orara nuk kam munguar asnjë ditë. Në fakultet ishin të gjithë shumë të përgatitur, të gjithë të arsimuar jashtë,. Nuk më mabnin me hatër për hir të moshës dhe nuk e prisja një gjë të tillë. Kishte mendime të ndryshme, disa ishin pozitivë, disa ishin skeptikë apo xhelozë po them në lidhje me profesionin, për nutricionin gjithmonë, sepse debatoja teoritë e mia, dhe kishte momente që nuk përputheshin dhe nuk kishte momente të vogla por shpesh. Ka pasur dhe debate por gjithmonë me mirëkuptim dhe unë përsëri i respektoj shumë.”
Ai u shpreh se përmes ushqimit dhe dashurisë së tij për nutricionin dhe të ngrënit shëndetshëm, aspirata e tij është që të jetojë deri në moshën 150 vjeçare duke qenë aktiv në punë deri në frymën e fundit.
Një detaj interesant i këtij rrugëtimi është fakti se familja nuk ishte në dijeni dhe se më pas nuk e kishte mbështetur në vendimin e tij.
“Ata se dinin fare që po bëja shkollën. Unë kam punën dhe mbaroj në 12 të natës, nuk jam afër tyre që të qahem. Nuk marr njeri, jam i pavarur vetë. Ata u çuditën dhe më thanë ‘je çmendur, ke ikur nga trutë që do bësh shkollë tani?’”
Edhe pse sapo ka përfunduar një etapë të rëndësishme akademike, Adi Gramatiku nuk e përjashton mundësinë e një specializimi tjetër në të ardhmen. Për momentin nuk e ka në planet e afërta, por duke njohur këmbënguljen e tij, duket se mosha nuk do të jetë kurrë pengesë për ëndrrat dhe dijen.
/tvklan.al












Botërori 2026 