Gjatë vitit 2025, ekonomia shqiptare shënoi një ritëm të qëndrueshëm rritjeje, me një zgjerim të Produktit të Brendshëm Bruto që pritet të arrijë rreth 3.9% për të gjithë vitin, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian dhe rajonit. Ka qenë kjo panorama e prezantuar në një konferencë për mediat nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, sipas së cilës kjo performancë ka sjellë një ulje të borxhit publik.

“Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025, me kontribute të qarta nga konsumi i brendshëm, investimet dhe hyrjet e turistëve. Turizmi vazhdon të jetë një motor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, ndërsa eksportet dhe investimet i japin ekonomisë një impuls të fortë drejt rritjes”.

Ndërkohë, inflacioni mbeti nën kontroll, duke reflektuar efektet e politikave monetare dhe fiskale të koordinuara, edhe pse disa masa të çmimeve të produkteve jo-ushqimore treguan një rritje modeste.

“84.8% e eksporteve janë eksporte të shërbimeve. Pesha më e madhe e eksportit lidhet me shërbimet, që kryesisht janë eksporte të lidhura me turizmin dhe numrin e turistëve të huaj gjatë viteve të fundit, të cilët kanë ardhur duke u rritur dhe në vitin 2025 ishin mbi 12 milionë turistë të huaj që erdhën në Shqipëri. Synojmë të krijojmë një klimë biznesi më konkurruese dhe transparente, e orientuar drejt standardeve europiane, duke forcuar konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve shqiptare dhe duke maksimizuar mundësitë e tregut të përbashkët europian”.

Në përfundim, viti 2025 tregoi baza më të forta për zhvillimin ekonomik me perspektivë të qëndrueshme.

Tv Klan

/tvklan.al