Tiranë – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot më 20 tetor, se Shqipëria do të bëhet një nga vendet e para në rajon që implementon identitetin digjital, një projekt ambicioz që pritet të hyjë në funksion në fillim të vitit 2026, një vit përpara afatit të përcaktuar nga Bashkimi Europian.
Gjatë prezantimit zyrtar të projektit, Rama e cilësoi identitetin digjital si themelin e së ardhmes teknologjike të vendit.
“Identiteti digjital është baza, për të ardhmen teknologjike që na pret”, u shpreh kreu i qeverisë.
Sipas tij, ky hap është një pjesë e rëndësishme e strategjisë për modernizimin e administratës dhe rritjen e transparencës ekonomike.
“Ajo që po prezantohet sot do të jetë në dispozicion të ekonomisë sonë në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Rama, duke nënvizuar rolin kyç që do të luajë kjo teknologji në jetën e përditshme të qytetarëve dhe biznesit.
Rama kujtoi gjithashtu se Bashkimi Europian ka përcaktuar vitin 2027 si afatin për përfshirjen e detyrueshme të identitetit digjital për qytetarët e tij.
“BE ka shpallur që brenda vitit 2027, shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian duhet të kenë identitet digjital. Ne do ta kemi identitetin digjital më 2026, një vit më herët sesa BE-ja.”
Kryeministri theksoi se ky rezultat vjen si rezultat i investimeve të vazhdueshme në teknologji dhe inovacion.
“Ne besojmë shumë tek fuqia e inovacionit. Kemi krijuar një bazë solide, për të pasur transformime në çdo sektor.”
Ai përmendi gjithashtu përpjekjet për të kaluar nga një ekonomi e bazuar te paraja në dorë, drejt një ekonomie digjitale dhe transparente.
“Ky është proces i rëndësishëm, që të kalojmë nga paraja cash tek paraja digjitale, që do të thotë më tepër transparencë dhe më shumë të ardhura”.
Përmes këtij projekti, Shqipëria synon jo vetëm të përshpejtojë tranzicionin digjital, por edhe të vendoset në pararojë të zhvillimeve teknologjike në rajon.
Projekt që do rrisë sigurinë e fëmijëve në shkolla
Më pas, Rama foli edhe për një tjetër projekt që sipas tij mes të tjerash, do të rrisë sigurinë e fëmijëve në shkolla. Ai për monitorimin e sistemit të trafikut nëpër qytete.
“Dua të theksoj se po ecim me hapa të shpejtë lidhur me fillimin e zbatimit të projektit të madh të Smart City. Projekt i cili do na ndihmojë të digjitalizojmë të gjithë sistemin e monitorimit të trafikut të të gjithë qyteteve tona, duke filluar nga Tirana. Në qytetet tona, duke filluar nga Tirana, do na ndihmojë të kemi një pamje shumë më mbështetëse për sa i përket mbledhjes së të dhënave në raport me ligjshmërinë, me rendin publik, me luftën kundër informalitetit dhe do na ndihmojë të kemi një pamje reale të ecurisë së jetës së përditshme në shkolla, ku falë këtij projekti do të rritet në mënyrë eksponenciale siguria, dhe mundësia e prindërve për të ndjekur të gjithë vijën e sjelljes së fëmijëve në shkollë, jo vetëm në momente kritike por në tërësinë e vet, gjë që do ndikojë jashtë mase në frekuentimin në shkollë, në uljen e fenomenit shqetësues të bullizmit dhe do ndikojë jashtë mase edhe në aspektin e angazhimit të vetë mësuesve. Besoj shumë që me këto projekte dhe me programin e identitetit digjital, i cili është shumë më kompleks sesa duket, do fuqizojmë në mënyrë të paimagjinueshme qytetarin.”, tha Rama. Ky projekt adreson shqetësimin e shumë prindërve për sigurinë në shkollave, pas disa ngjarjeve të njëpasnjëshme të dhunës që u regjistruan përgjatë një viti mes të miturve.
/tvklan.al












Botërori 2026 