Këtë të hënë u zhvillua konferenca që mblodhi bashkë ambasadorët shqiptarë nëpër botë me titull “Diplo 2025″. I pari fjalën e mori ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili tha se në ditët e ardhshme do të shkojë në Kuvend projektligji i ri për transformimin e rrjetit diplomatik.
“Rritja e rolit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare është shoqëruar me zgjerimin e rrjetit diplomatik. Gjatë një viti janë hapur 7 përfaqësi të reja duke ecur numrin në 60. Po punojmë që konsullatat dhe ambasadat tona të shndërrohen në qendra shërbimi për qytetarët dhe bizneset. Po modernizojmë shërbimet konsullore, më të shpejta dhe të aksesueshme dhe po kthejmë diplomacinë ekonomike në instrument konkret për investim dhe teknologji të reja. Ky transformim do përshpejtohet me ligjin e ri që do i paraqitet parlamentit ditët e ardhshme”, deklaroi ministri Hasani.
Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij, Hasani theksoi se integrimi në BE është busulla që orienton sot qeverinë shqiptare.
“Shqipëria ka zgjedhur qartë rrugën e saj, ne qëndrojmë krahë aleatëve euroatlantikë si anëtar të NATO dhe vend që ecën krah për krah me BE dhe SHBA. Ne mbrojmë paqen, ligjin dhe lirinë. Ky është mision historik që garanton sigurinë dhe mirëqenien e kombit shqiptar. Integrimi është busulla jonë strategjike.”, tha ai.
Hasani deklaroi se javën e ardhshme do të hapet një tjetër grupkapitull i rëndësishëm dhe brenda pak javësh do të hapet dhe grupkapitulli i fundit.
“Kemi hapur 4 grupkapituj dhe brenda pak javësh do hapim dhe dy të fundit; tjetrin javën e ardhshme. Shqipëria është kontribuuese e sigurisë kolektive me pjesëmarrje në misione ndërkombëtare dhe me angazhimin për të organizuar samitin e NATO në 2027, kemi treguar se jemi partnerë të besueshëm dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi. Modernizimi i FA, investimet në infrastrukturën strategjike e bëjnë Shqipërinë një aleatë më të rëndësishëm për aleancën. Ballkani Perëndimor është pasqyra ku Shqipëria provon seriozitetin e saj se do mbetet faktor stabiliteti”, tha ai.
Konferenca do të zhvillohet në formën e paneleve me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Kryeministri Edi Rama e konsideron këtë konferencë një pikëtakim të rëndësishëm të shërbimit të jashtëm për të përcaktuar prioritetet, për të adresuar sfidat kryesore dhe për të forcuar shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
