Gerta Zaimi është gazetare, analiste dhe hulumtuese me një eksperiencë të spikatur akademike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Së fundi ajo mban detyrën e drejtueses së Web-it të Televizionit Kombëtar Klan.

Studimet dhe hulumtimet e saj janë përqendruar me një fokus të veçantë në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Ballkanit. Gerta Zaimi është diplomuar për gjuhë të huaja në Universitetin e Tiranës me profil në letërsi dhe në gjuhën italiane. Ndërsa studimet e mëtejshme i ka ndjekur në Universitetin e Firences, ku është diplomuar për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

E ftuar në studion e “Rudina”, jashtë petkut të analistes, Gerta Zaimi rrëfen më shumë për jetën e saj personale dhe karrierën. Për Italinë ku kaloi 3 dekada të jetës së saj, tregon se ka një lidhje të fortë. Italia në fakt për të u bë vendi që i dha formimin intelektual dhe streha ku krijoi shoqërinë, gjeti dashurinë dhe krijoi familjen.

Gerta Zaimi: Unë në Itali kam jetuar 30 vjet dhe në vitin 2021 kthehem në Tiranë. Kam ikur në vitin 1991 me një bursë nga fakulteti dhe që atëherë vendosa të mos kthehesha më. Përfundova universitetin dhe pastaj vazhdova jetën atje, duke u fokusuar tek interesat e mia, duke i zhvilluar atje dhe duke mos u kthyer në Shqipëri në mënyrë definitive. Në Shqipëri kam studiuar për gjuhë-letërsi italiane. Ishte bursa që më çoi në Itali dhe Italia u bë shtëpia ime e dytë, gati e para. Sepse ishte gjuha, u ndërtua jeta, u lidh marrëdhënia familjare, u rritën fëmijët, u bë shoqëria. Italisë i detyrohem për përgatitjen time intelektuale, i detyrohem shkollën, i detyrohem për kontaktet që unë kam. Nëse kam një rritje të brendshme, e kam në radhë të parë nga familja dhe më në radhë të dytë nga ajo që vjen nga Italia, që është formimi im intelektual.

Rudina Magjistari: Italia çfarë përfaqësoi për ty, është e gjitha kjo që ti sapo përshkrove, por nga ana tjetër cilat ishin vështirësitë që ti ke hasur, sepse në ato vite Italia ka qenë shumë e vështirë edhe pse shumë mikpritëse.

Gerta Zaimi: I ka të dyja aspektet në fakt. Ka mikpritjen nga njëra anë, dhe unë jetova duke filluar nga viti 1991 dhe sot, është një kalim etapash dhe situatash të një shqiptari në Itali që i kam përjetuar të gjitha faktikisht. Të ndihmon në një farë mënyre personaliteti për të përballuar vështirësitë e ndryshme, unë isha një vajzë e vetme kur vajta, ishte një vajzë 20-vjeçare që nuk kishte ndihmën e askujt dhe kisha atë naivitetin, sepse vija nga një shoqëri ish-komuniste, pa hyrje-dalje dhe isha komplet naive për atë se çfarë ishte bota perëndimore. Italia ishte e vrazhdë për atë çka i përket diskriminimit sa i takon viteve të para deri vonë, gjë që aktualisht nuk ekziston më. Ka shkuar e gjitha në gradacion./tvklan.al