“900 ankesa nga 2017-2020”

Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të nisë punën me verifikimin e vendimeve gjyqësore për dhënien e lirisë me kusht për të dënuarit. Kreu i këtij institucioni Artur Metani në një dalje për mediat u shpreh se puna do të jetë voluminoze për shkak të numrit të lartë të ankesave dhe mungesës së gjatë të inspektimit.

“ILD-së do i kalojë një volum i madh ankesash, rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore, 2017-2020 pranë KLGJ ose Prokurorisë së Përgjithshme. ILD krahas veprimeve të mësipërme, në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese por dhe duke mbajtur në konsideratë debatin dhe shqetësimin publik lidhur me një seri çështjesh por veçanërisht lidhur me vendimmarrjet lidhur me lirimin parakohe me kusht do t’i japë prioritet inspektimit në këtë drejtim”, tha ai.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të verifikojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, si dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Lirimi parakohe i personave të dënuar për vepra të rënda penale vuri në lëvizje edhe Ministrinë e Drejtësisë. Në mes të muajit Janar, ky dikaster kërkoi shkarkimin dhe ndjekjen penale të gjyqtares Enkeleda Hoxha, që vendosi për lirimin e Endrit Dokles nga burgu.

Tv Klan