“Nuk kam asnjë firmë që të kem favorizuar në marrëveshje”

Për të dytën herë, ish-presidenti Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, u pyet nga SPAK për hetimet që po kryen për marrëveshjen e ÇEZ me kompaninë DIA në 2009. Ai qëndroi për mbi 2 orë përballë hetuesve, teksa për mediat tha se nuk ka favorizuar askënd dhe s’ka asnjë firmë të Ilir Metës për këtë marrëveshje.

“Dua të theksoj se asnjë akt, shkresë, dokument, nga ana e Ilir Metës në pozitat e tij, në interes të askujt. Kjo është çështje që diktohet politikisht nga Rama për të shmangur vëmendjen e tij nga skandalet e përditshme dhe për të spostuar vëmendjen në thashetheme që janë të 14 apo 15 vite më parë” .

Edhe në dëshminë e dhënë disa muaj më parë, Ilir Meta ka mohuar implikimin, duke e konsideruar këtë çështje si një dosje që përdoret politikisht. Për dosjen ÇEZ-DIA në vitin 2018 u dënua me vendim të formës së prerë Kastriot Ismailaj, administrator i kompanisë që do të mblidhte borxhet e energjisë elektrike. Dosja u rihap disa vite më parë dhe SPAK po heton veprimet e zyrtarëve të lartë të kohës për marrëveshjen që i shkaktoi shtetit një dëm prej miliona eurosh.

Ndërkohë, SPAK ka të hapura 3 procedime penale për rolin e Ilir Metës, bazuar në 9 kallëzime të bëra nga qytetarë, avokatë dhe ish-deputetë. Procedimet janë regjistruara për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës.

Tv Klan