Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vizituar  20 grevistët para dhe tetraplegjikë, të cilët kanë hyrë në ditën e pestë të grevës së urisë.

Kreu i LSI shprehu solidaritetin e tij në lidhje me kërkesat e kësaj kategorie, pasi i cilësoi ato të drejta, ndërsa ftoi qeverinë të dialogojë me grevistët për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.

Ilir Meta: “Ftoj përfaqësuesit e qeverisë që të vijnë këtu të dialogojnë me ju në mënyrë që kjo grevë të përfundojë sa më shpejt. Integrimi juaj në të gjithë jetën sociale dhe ekonomike të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i plotë sepse nuk mund të krenohemi për integrim në NATO dhe nuk mund të shpresojmë integrim në BE kur nuk tregohet as respekti dhe vëmendja më minimale ndaj kësaj kategorie”.

Shoqata e para dhe tetraplegjikëve kërkojnë nga qeveria që paketa higjieno-sanitare të shkojë 30 mijë lekë të reja, të rritet paga minimale për kujdestarët e tyre nga 9 mijë lekë në 17 mijë lekë të reja, si dhe të marrin falas 80 litra karburant në muaj pavarësisht luhatjes së çmimit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami