Jemi mësuar ta shohim të përfshirë në politikë apo duke folur për arsimin, por gatimi është një nga pasionet e Ermal Hasimjas. Pedagogu nuk veshi përparësen në kuzhinën e programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan, por ndau dy receta aspak tradicionale, me rosë franceze.

Franca ishte vendi ku ai shkoi për studime dhe aty nisi gjithçka. Fillimisht gatimi ishte nevojë, por njëkohësisht në shtëpinë e tij është gatuar gjithnjë shumë mirë për shkak se nënën e ka nga Dibra.

Ermal Hasimja: Një nga faktorët mund të jetë fakti që diku rreth moshës 21-22 vjeç shkova në Paris për studime kështu që duhet të gatuaja, kuptohet në restorante s’bëhej fjalë, madje ishte më lirë të gatuaje në shtëpi sesa të merrje te mensa e studentëve. Studimet i kemi bërë pa bursa, duke punuar me punë të vogla. Ky është faktori i parë, në njëfarë mënyre, detyrimi. E dyta pastaj është që unë mamin e kam nga Dibra e Madhe me origjinë, pavarësisht se ajo ka lindur këtu, edhe gjyshja ka lindur këtu, por dibranët nuk di që të ketë kuzhinierë më të mirë.

Veç kuzhinës franceze, edhe ajo indiane mbetet një nga të parapëlqyerat e pedagogut. Ai rrëfen se e ka mësuar gjatë një udhëtimi në Indi ku nuk ka ngurruar edhe të mësojë nga vetë kuzhinierët atje.

Ermal Hasimja: Nga ato që kam parë, India patjetër që është e veçantë, Afrika ka atë sharmin e vet, por në Afrikë kam qenë edhe te pjesa veriore, Maroku që është fantastik, Saharaja.

Katerina Trungu: Që edhe ajo ka kuzhinë shumë të veçantë, me erëzat, me aromat.

Ermal Hasimja: Maroku po, kurse në Afrikë jam zhgënjyer pak se nuk është se kam provuar aq shumë kuzhinë afrikane, por nuk është aq e përshtatshme me shijet e Europës ose mënyra e të gatuarit ndoshta, është pak më e ashpër si kuzhinë. Ajo e Marokut është ndryshe pastaj se ata kanë goxha erëza të forta që kanë njëfarë ngjashmërie me orientalen.

Për këdo që ka ndërmend të vizitojë Indinë dhe të shijojë ushqimin atje, Hasimja thotë se ka një dallim në restorante.

Ermal Hasimja: Në Indi janë dy gjëra. Ti mund të shkosh nëpër restorante që parashikohen ku do të shkojnë edhe europianët dhe e marrin parasysh këtë gjë. Nëse shkon në restorante indiane, aty është tjetër muhabet sepse aty duhet të kesh stomak shumë të fortë.

/tvklan.al