Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri shënoi një ecuri pozitive gjatë vitit 2025 sa i përket vëllimit të përgjithshëm të grumbulluar, por shifrat e detajuara zbulojnë një rënie të ndjeshme në sektorin e bagëtive të imëta.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar në subjektet përpunuese arriti në rreth 101 mijë tonë, duke regjistruar një rritje prej 6,9% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, kjo rritje është mbështetur ekskluzivisht nga performanca e qumështit të lopës, i cili mbetet shtylla kryesore e industrisë me 84 mijë tonë të grumbulluara, ose një rritje prej 12,5%.

Por, nga ana tjetër, sektori i bagëtive të imëta ka pësuar një rënie të ndjeshme dyshifrore. Qumështi i deles shënoi një rënie drastike prej 21,1%, duke zbritur në 9 mijë tonë. Qumështi i dhisë gjithashtu shënoi një rënie prej 4,3%, duke u ndalur në rreth 8 mijë tonë. Normalisht, kjo rënie vjen edhe për shkak të rënies së numrit të krerëve të deleve dhe dhive, të cilat kanë rënë me rreth 80 mijë krerë të marra së bashku.

Kjo tendencë rënëse është pasqyruar edhe në nënproduktet e përpunuara. Prodhimi i djathit, ndonëse u rrit me 1,9% në total falë performancës së fortë të produkteve nga qumështi i lopës, ku djathi i gjedhit u rrit me +9,9%, prodhimi i djathit nga qumështi i deles ra me 21,8%, ndërsa ai nga qumështi i dhisë shënoi një rënie prej 1,7%.

Për ekspertët, produktet tona tradicionale të deles dhe dhisë rrezikojnë të zëvendësohen plotësisht në tregun vendas nga produktet e importit, por edhe nga rritja e çmimeve.

Klan News

/tvklan.al