Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, përballet me akuza të reja të publikuara nga gazeta britanike The Telegraph.
Sipas raportimit, UEFA i ka paguar një shumë gjashtëshifrore një ish-punonjëseje, me të cilën pretendohet se Infantino kishte pasur një marrëdhënie gjatë kohës kur ishte sekretar i përgjithshëm i organizatës.
Bëhet fjalë për periudhën 2009–2016. Gruaja, e cila fillimisht kishte një rol administrativ në UEFA, dyshohet se u promovua gjatë kësaj periudhe, duke përfituar një rritje page prej rreth 30 për qind, në afro 160 mijë franga zvicerane.
Pas largimit nga UEFA, organizata financoi edhe studimet e saj, ndërsa ish-punonjësja përfitoi një pagesë gjashtëshifrore për përfundimin e marrëdhënies së punës.
UEFA konfirmon pagesën e largimit, si dhe mbulimin e kostove të studimeve, pra një master në administrim biznesi.
Sipas UEFA-s, këto pagesa ishin në përputhje me rregulloret që ishin në fuqi në atë periudhë për punonjësit që largoheshin nga organizata.
Çështja kishte shkaktuar shqetësim edhe në nivelet e larta të UEFA-s.
Presidenti i atëhershëm, Michel Platini, dyshohet se ishte përballur me Infantinon lidhur me situatën. Sipas burimeve të cituara, diskutimi kishte përfunduar me vendimin që punonjësja të largohej nga UEFA.
Por nga FIFA vjen një mohim i prerë. Infantino i quan akuzat “kategorikisht të rreme” dhe “shpifëse”, duke mohuar çdo sjellje të papërshtatshme apo shkelje të ligjit dhe rregulloreve.
FIFA thekson gjithashtu se nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare ndaj Infantinos gjatë viteve të tij në UEFA.
Ndërsa akuzat mbeten të mohuara, çështja rikthen në vëmendje mënyrën e menaxhimit të marrëdhënieve të punës dhe pagesave brenda UEFA-s gjatë periudhës kur Infantino drejtonte administratën e organizatës.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
