Gianni Infantino po përgatit lëvizjen më të debatueshme të mandatit të tij, një projekt që mund të ndryshojë rrënjësisht modelin e qeverisjes dhe financimit të futbollit botëror.

Sipas mediave britanike, presidenti i FIFA-s synon krijimin e një kompanie të re tregtare, e cila do të marrë në administrim asetet më të vlefshme të organizatës, përfshirë Kupën e Botës, Botërorin e Klubeve dhe të drejtat e tyre komerciale.

Plani parashikon që 20 deri në 30 për qind e aksioneve të kësaj kompanie t’u ofrohen investitorëve privatë për disa miliardë dollarë, ndërsa FIFA do të mbajë kontrollin përmes paketës shumicë.

Edhe 211 federatat anëtare do të përfitojnë një pjesë simbolike të aksioneve, me të drejtën për t’i mbajtur ose për t’i shitur.

Objektivi zyrtar është rritja e të ardhurave dhe financimi i programeve të zhvillimit të futbollit në mbarë botën. Megjithatë, sipas The Times, hyrja e kapitalit privat mund të sjellë pasoja të rëndësishme edhe për vetë formatin e Kupës së Botës.

Për të garantuar fitime gjithnjë e më të larta, nuk përjashtohet zgjerimi i mëtejshëm i numrit të skuadrave pjesëmarrëse, madje as organizimi i turneut më shpesh sesa një herë në katër vjet. Projekti ka hasur menjëherë në kundërshtimin e UEFA-s.

Në një deklaratë të fortë, organizata europiane e futbollit e cilësoi nismën si një “vijë të kuqe”, duke theksuar se “shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë në shitje”.

UEFA ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mungesën e transparencës lidhur me investitorët dhe përfituesit realë të kësaj skeme.

Mes investitorëve të mundshëm përmendet fondi Thrive Eternal, i themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Ndërkohë, FIFA po bashkëpunon me bankën amerikane JP Morgan për strukturimin financiar të projektit.

Nëse iniciativa merr miratimin e 211 federatave anëtare, ajo mund të shënojë transformimin më të madh në historinë moderne të FIFA-s.

Madje, mediat ndërkombëtare raportojnë se pas përfundimit të mandatit në vitin 2031, Gianni Infantino mund të marrë drejtimin e kompanisë së re si administrator ekzekutiv.

Një përpjekje për të tërhequr kapital privat ishte bërë edhe në vitin 2018, por atëherë projekti u bllokua përballë kundërshtimit të fortë të UEFA-s.

Klan News

/tvklan.al