Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur inspektimin e instalimeve elektrike dhe kaldajave në shkollat shqiptare.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha nga Korça se ky aksion ka si synim rritjen e sigurisë në shkolla.

“ISHTI ka nisur prej kohësh inspektime në ato njësi ku kemi një intensifikim të vizitorëve, po sigurisht duke mos lënë pas dore institucionet arsimore, do na duhet bashkëpunimi i bashkive”.

Në fokus të veçantë të inspektimeve janë institucionet arsimore të ndërtuara kohë më parë.

“Për ne është e rëndësishme të identifikojmë ku i kemi problemet elektrike dhe të ndërhyjmë. Duhet të mitigojmë të gjitha ato problematika që janë në njësitë arsimore që janë të ndërtuara kohë më parë, ndërkohë që jam e sigurt që projektet e reja i kanë kushtet dhe parametrat e duhura”.

Aksioni në lidhje me infrastrukturën dhe sigurinë elektrike pritet të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.

Janë më shumë se 3 mijë institucione arsimore në të gjithë vendin që do të jenë pjesë e kontrolleve nga ana e inspektorëve të ISHTI-t.

Tv Klan