Turizmi shqiptar vijon të shënojë rritje edhe në nisje të sezonit veror. Në qershor, strukturat akomoduese në vend pritën 17% më shumë vizitorë krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Rritja vjen kryesisht nga turistët e huaj. Numri i vizitorëve jo‑rezidentë u rrit me 20.6%, ndërsa vizitorët rezidentë me 7%. Por më shumë vizitorë nuk do të thotë vetëm më shumë hyrje në struktura. Net‑qëndrimet u rritën me 9.8%, duke treguar se kërkesa turistike vijon të jetë e fortë edhe për qëndrimin në Shqipëri.

Harta e turizmit tregon qartë avantazhin e bregdetit. Në zonat bregdetare u akomoduan rreth 422 mijë vizitorë, kundrejt rreth 164 mijë në zonat jo‑bregdetare. Krahasuar me qershorin e kaluar, rritja në bregdet është veçanërisht e fortë tek të huajt.

Sa i përket origjinës, Kosova kryeson me 15%, e ndjekur nga Italia me 14% dhe Polonia me 13%. Franca dhe Gjermania kontribuojnë me nga 7%.

Një tjetër sinjal pozitiv vjen nga hotelet ku norma e shfrytëzimit të dhomave u ngjit në 41.3%, nga 39.5% një vit më parë, duke konfirmuar kështu se vendi po vizitohet nga më shumë turistë, e për pasojë ka një kërkesë në rritje për kapacitetet akomoduese, me bregdetin që mbetet motori kryesor i sezonit.

Tv Klan

/tvklan.al