Tremujori i tretë i vitit që sapo lamë pas ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike për vitin 2010, që sipas Institutit të Statistikave ka qenë në nivelin 4.9%.

Ledion Shahini: “Rritja ekonomike gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009, u rrit me 4.9%, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2010, u rrit me 1.6%.”

Viti i kaluar u nis me rritje ekonomike gjatë tremujorit të parë me 2.2%, duke ndjekur edhe trendin rritës edhe në tremujorin e dytë me 3.3%.

Në këtë tremujor, degët që kanë patur rritjen më të lartë ishin industria, transporti, shërbimet e tjera dhe tregtia, respektivisht me 18.2%, 12.9, 12% dhe 8.1% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009.

Degët që u paraqitën në rënie me këtë tremujor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin ndërtimi me 22% dhe post telekomunikacioni me 7.9%.

Industria ka shënuar rritjen më të lartë gjatë këtij tremujori, ku sektori i energjisë elektrike ka patur rolin kryesor në këtë rritje./tvklan.al