Kryenegociatorja e vendit për integrimin europian, Majlinda Dhuka, paraqiti sot, 12 maj, bilancin sa i takon procesit për vitin 2025 dhe 4 muajt e parë të 2026-ës.

“Do të ndalem kryesisht te kushtet e mbylljes së negociatave. Sa i përket kushteve të ndërmjetme apo progresin që ka bërë Shqipëria për shtetin e së drejtës, në luftën kundër korrupsionit, krimit apo të drejtave të njeriut. Në fazën që kemi hyrë tashmë, përgatitjet teknike intensive sa i përket mbylljes së negociatave duke filluar me 10 fushat e para, por duke punuar paralelisht në të 31 fushat. Së dyti, puna e strukturës negociuese duke u përqendruar te rritja e kapaciteteve, rolin e pushtetit qendror, por njëherësh edhe konsultimin dhe dialogun social s a i përket nismave europiane”, deklaroi ajo.

Vitin 2025 e cilësoi “jashtëzakonisht të mirë” sa i takon rrugëtimit drejt familjes europiane.

“Rreth 157 institucione janë të përfshira në përgatitjet për anëtarësim”, shtoi Dhuka, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes tyre.

Njëjtë si kryeministri Edi Rama, nënvizoi mbështetjen e plotë të Komisionit dhe Parlamentit Europian ndaj vendit tonë.

Tha se BE deri më tani i ka paraqitur Shqipërisë 101 kushte për mbylljen e negociatave për 31 kapituj.

“Gjatë vitit 2025 kemi punuar për bazën organizative të punës për mbylljen e negociatave, krahas çeljes së negociatave që u krye për 6 grup-kapitujt. Për këtë arsye janë hartuar 31 draft plane pune, ku janë zbëthyer këto 101 linja veprimi ose kushte në rreth 600 nisma europiane, nga të cilat një pjesë e mirë janë të natyrës ligjore”, bëri me dije ajo.

Po cilat janë linjat prioritare të punës?

“Tregu i brendshëm, negociatat që u çelën në prill 2025. Kjo është një etapë strategjike dhe në këtë grup-kapitull Shqipëria ka marrë 29 kushte për mbylljen e negociatave. Kanë të bëjnë me disa drejtime kryesore, siç është standardizimi dhe mbikëqyrja e tregut, kontrolli i ndihmës shtetërore, politika e konkurrencës, qeverisja e korporatave dhe mbrojtja e konsumatorit.  E rëndësishme është rritja e sigurisë juridike në treg.”

“Grupi i dytë është konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, i dyti për të cilin negociatat u hapën, më 22 maj 2025. Ka 19 piketa mbyllëse. Objektiv kryesor është ndërtimi i modelit social europian. Thënë më thjesht mirëqenia e qytetarëve shqiptarë. Fokusi kryesor do të jetë transformimi digjital, politika industriale, mbështetja për sipërmarrjen, arsimi dhe formimi profesional, kërkimi shkencor dhe inovacioni, punësimi dhe politika sociale.”

“Grupi tjetër, agjenda e gjelbër, që u çel në shtator 2025. Shqipëria ka marrë këtu 22 piketa, fokusi kryesor do të jetë në politikën e mjedisit, tranzicionin energjitik, transportin, ndryshimet klimatike.”

“Bujqësia, këtu Shqipëria ka marrë 18 kushte për mbylljen e negociatave. Fokusi kryesor do të jetë politika bujqësore dhe zhvillimi rural, siguria ushqimore, një nga fushat standardet e të cilit përbëjnë një sfidë të madhe. Menaxhimi i burimeve natyrore, peshkimi dhe politika e zhvillimit të rajoneve shqiptare. Kjo do të kërkojë modernizimin e sistemeve agro-ushqimore, edhe investime më të mëdha.”


Dhuka u ndal edhe te puna e bërë në fushën e drejtësisë, një nga reformat kyçe në këtë proces.

“Shqipëria ka miratuar të paktën 222 akte ligjore dhe nënligjorë gjatë vitit 2025, ose 3 herë më shumë në krahasim me 2024-ën, ku janë miratuar rreth 82 të tilla. Nga këto, 44 janë ligje të miratuara nga Kuvendi, 78 vendime nga Këshilli i Ministrave dhe 100 akte të tjera të natyrës ligjore, të institucioneve të ndryshme, përfshirë edhe ato të pavarura.

Prej tyre, 75 akte kanë kontribuar në përmbushjen e kushteve të ndërmjetme. 111 akte kontribuojnë te 101 kushtet e mbylljes së negociatave. 12 akte i përkasin facilitetit për reforma dhe rritje, 24 janë akte të tjera të natyrës përafruese.”

Sipas Dhukës, këto projektligje kanë kaluar në konsultim publik.

“Janë publikuar 96 projektligje për konsultim publik, nga të cilat, 38 kanë qenë të lidhura me integrimin europian. Më shumë se 96 mijë vizitorë e kanë vizituar Regjistrin e Konsultimit Publik gjatë vitit 2025. Afërsisht 100 mijë vizitorë që kanë shprehur interes!”, deklaroi ajo.

Më tej, foli për progresin e arritur te “Themeloret”.

“Shqipëria punoi për të përmbushur 24 kushte të ndërmjetme në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, kishin të bënin me 92 drejtime prioritare, që u plotësuan në fund janari e shkurti të këtij viti.”

Reforma në drejtësi

“KLP dhe KLGJ kanë miratuar rreth 14 akte me rëndësi të veçantë, sidomos s ai përket standardeve të integritetit per gjyqtarë dhe prokurorë, me qëllim që me përfundimin e vetting-ut, siç jeni në dijeni Shqipëria e ka kryer këtë process për 805 gjyqtarë e prokurorë, e ka përfunduar shkallën e parë vitin e kaluar. Standardet të jenë të qëndrueshme, të përhershme.”

Një tjetër element, tha ajo, lidhet me zvogëlimin e numrit të çështjeve gjyqësore që priten të shqyrtohen.

“Për këtë, sistemi i drejtësisë gjatë vitit 2025 ka hartuar një udhërrëfyes për efiçensën dhe uljen e stokut. Ka nisur edhe zbatimi i tij. Janë vënë re edhe rezultatet e para positive, përmend këtu Gjykatën e Lartë, ku ka një reduktim me 24% të stokut, krahasuar me 1 vit më parë. Në krahasim me vitin 2020, ka një reduktim me 60%.”

Modernizimi dhe digjitalizimi i këtij sistemi: Janë mbi 2 milion të dhëna që duhen digjitalizuar dhe pritet të jetë tërësisht funksional deri në vitin 2029. U zgjodhën dy drejtues të lartë të institucioneve të drejtësisë, i BKH-së dhe SPAK-ut.

Lufta kundër korrupsionit: Për parandalimin e tij janë marrë një numër masash të rëndësishme, është hartuar një paketë ligjore me 5 projektligje, 3 prej të cilave janë miratuar. Ligji për lobimin, konfliktin e interesit dhe sinjalizuesit. Janë në fazë të avancuar dy projektligje, ai për financimin e partive politike dhe ai për sponsorizimet dhe donacionet. Shqipëria ka zbatuar me normë të lartë masat në parandalimin e korrupsionit, 85.7% e këtyre masave janë zbatuar!

Hetimet e dënimet: Për korrupsionin në nivele të larta, u regjistruan 6 hetime të reja penale, 10 akt-akuza dhe 6 vendime gjyqësore të formës së prerë. Korrupsioni në përgjithësi, ka një aktivitet të shtuar, janë regjistruar 878 hetime, 236 akt-akuza, janë marrë 287 vendime të formës së prerë.


/tvklan.al