Në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian komisionerja për zgjerimin Marta Kos tha se shtetet e tjera të rajonit duhet të ndjekin shembullin e Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Këtë javë, ne mbyllëm dy kapituj me Malin e Zi. Dhe për herë të parë tre kapituj për Shqipërinë. Shpresoj që pjesa tjetër e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor ta shfrytëzojnë këtë moment. Kjo ka nevojë për lidership dhe ka nevojë për ndërtimin e besimit me të 27 shtetet tona anëtare”, tha Kos.
Kos paralajmëroi publikimin në vjeshtë të propozimeve të reja të KE për të përshpejtuar procesin e zgjerimit.
“Këtë vjeshtë, dhe ky është një lajm i ri, Komisioni do të dalë me propozimet e veta se si të përgatitemi, për të patur në familje më shumë anëtarë. Kjo do të përfshijë një vlerësim teknik të ndikimit të zgjerimit në funksionimin e BE-së dhe fushat kryesore të politikave. Do të na tregojë se si duhet të përshtatim strukturat e BE-së për të siguruar funksionimin e duhur në një familje të zgjeruar”, tha Kos.
Kos tha se traktati i anëtarësimit me Malin e Zi do të shërbejë si një precedent për vendet që do të anëtarësohen më pas në BE.
“Ne gjithashtu do të paraqesim idetë e Komisionit mbi traktatin e pranimit të Malit të Zi dhe masat mbrojtëse që propozojmë. Ato do të vendosin një precedent për vendet që do të vijnë më pas. Do të paraqesim ide të reja edhe mbi integrimin gradual. Tashmë, ne po u ofrojmë kandidatëve tanë qasje në aspekte të anëtarësimit në BE edhe para se të anëtarësohen plotësisht”, tha Kos.
Kos u ndal edhe tek ndikimi i reformave tek shtetet kandidate.
“Shumë punë që bëjmë në procesin e zgjerimit mund të duket teknike, por e vërteta është se pothuajse e gjithë puna është shumë politike. Sepse në thelb ajo për të cilën po punojmë është një transformim shoqëror. Reformat që po zbatojmë me vendet kandidate prekin strukturat ekzistuese të pushtetit. Ato ndihmojnë në ndërtimin e strukturave demokratike elastike, ato sigurojnë procedura të drejta gjyqësore, dhe mbrojnë të drejtat themelore“, tha Kos.
Shqipëria synon që të anëtarësohet në BE para vitit 2030 ndërsa po punon për të mbyllur kapitujt e negociatave në muajt në vijim.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 