17 nëntor 2026- Alarmi për një bombë të pistë radioaktive nuk është një skenar i ri, por rikthehet në vëmendje në një moment tensionesh të larta në Gjirin Persik.
Burime nga inteligjenca amerikane, të cituara nga CNN, pretendojnë se Irani mund të tentojë të godasë zyrtarë në Shtetet e Bashkuara përmes një pajisjeje shpërthyese konvencionale të kombinuar me substanca radioaktive.
Sipas televizionit amerikan, sinjalizimi i shërbimeve të inteligjencës erdhi pas një serie përgjimesh, gjatë të cilave persona nën vëzhgim diskutonin mundësinë e përdorimit të një metode të pazakontë sulmi.
Sipas vlerësimeve të analistëve, një operacion i tillë nuk do të kërkonte domosdoshmërisht përfshirjen e drejtpërdrejtë të agjentëve iranianë. Teherani mund të mbështetej te persona që ndodhen tashmë në territorin amerikan, përfshirë shtetas të huaj të rekrutuar përmes ndërmjetësve.
Megjithatë, informacioni i publikuar nga CNN paraqet një skenar ende të paqartë dhe jo një kërcënim të konfirmuar.
Inteligjenca amerikane e ndarë për kërcënimin
Sipas raportimit, brenda agjencive amerikane nuk ka një vlerësim të përbashkët për qëllimet reale të Iranit dhe mundësinë që një plan i tillë të vihet në zbatim.
Bisedat e përgjuara mund të jenë diskutime për plane të ardhshme apo thjesht shprehje ambiciesh, pa pasur domosdoshmërisht kapacitetet për t’i realizuar.
Ekspertët vlerësojnë se ndërtimi i një bombe të tillë nuk është veçanërisht i vështirë, por sigurimi i materialeve radioaktive përbën sfidën kryesore.
Për këtë arsye, nevojiten më shumë të dhëna për të përcaktuar nivelin real të kërcënimit. Edhe reagimet e para nga Shtëpia e Bardhë kanë qenë të kujdesshme, duke shmangur përforcimin e alarmit.
Frika nga sulmet iraniane në Perëndim
Raporti vjen në një klimë shqetësimesh për sulme të mundshme nga rrjetet klandestine iraniane në vendet perëndimore. Disa hetime në Evropë kanë çuar në arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në akte sabotazhi apo operacione që kishin në shënjestër disidentë iranianë, organizata hebraike dhe baza të ndryshme.
Së fundmi, edhe sekretari amerikan i Tregtisë, Scott Bessent, është transferuar në një objekt ushtarak për të përfituar nga masa më të larta sigurie. Edhe në këtë rast, vendimi erdhi pas informacioneve për rreziqe të mundshme sulmesh nga Irani.
Ndërkohë, është publikuar edhe një tjetër informacion për një plan të dyshuar atentati, që këtë herë kishte në shënjestër presidentin amerikan Donald Trump. Sipas raportimit, informacioni i atribuohet shërbimit sekret izraelit Mossad.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit
Alarmi i inteligjencës është pjesë e masave rutinë të sigurisë në një periudhë të tensionuar, ku marrëdhëniet mes Iranit dhe SHBA-së luhaten mes mundësisë së paqes dhe rrezikut të një përshkallëzimi ushtarak.
Pentagoni ka dislokuar një arsenal të konsiderueshëm ushtarak në rajon, ndërsa presidenti Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, nën presionin e një pjese të administratës që kundërshton përfshirjen në operacione të tjera ushtarake.
Zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi orët e fundit se Trump nuk do të lejojë që kjo situatë të shndërrohet në një luftë pa fund.
Nga ana tjetër, deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve iranianë për hakmarrje dhe kundërpërgjigje edhe përtej kufijve të vendit shtojnë shqetësimet në Uashington.
Brenda regjimit iranian ekziston një krah që nuk i ka harruar vrasjet e bujshme të drejtuesve të lartë të Republikës Islamike, duke nisur nga ajatollahu Ali Khamenei.
Në rast të rifillimit të një konflikti të hapur, ky krah mund të kërkojë të shlyejë hesapet përmes sulmeve hakmarrëse.
/tvklan.al












Botërori 2026 
