Inteligjenca artificiale rrezikon zhdukjen e njerëzimit. Ky ishte titulli i komunikatës së lëshuar dhe firmosur nga 350 shkencëtarë dhe inxhinierë të fushës së AI. Ekspertët më të mëdhenj të sektorit teknologjik janë thellësisht të shqetësuar për rreziqet e lidhura me zhvillimin e mëtejshëm dhe pa limite të makinave, dhe alarmi i hedhur nuk lidhet me humbjen e vendeve të punës, me shpifje, por shkon deri tek zhdukja e species sonë në kohëra të shkurtra.

Ndër firmëtarët e komunikatës janë emrat më të spikatur të kompanive kryesore që sundojnë sektorin e teknologjisë në nivel global, duke nisur nga Sam Altman, drejtor ekzekutiv i OpenAI, Demis Hassabis, me të njëjtin rol në Google DeepMind dhe Dario Amodei, në krye të startup-it të AI Anthropic.

Ndërkohë vijon të mbajë po të njëjtin qëndrim, sikurse që në nisje të krijimit të AI, shkencëtari Geoffrey Hinton, fitues i Nobel Prize, i njohur për punën e tij në rrjetet nervore artificiale, gjë që i dha atij titullin “Kumbari i IA-së”, bashkë me Yoshua Bengio.

Apeli është lëshuar në një klimë të tejmbushur me shqetësim për avancimin e shpejtë të disa tipeve të AI, dhe ajo çka frikëson është zhvillimi i mëtejshëm pa rregulla i software-it të përdorur dhe konkurrenca mes chatbot-eve ta çojë AI të ndërhyjë në konkurrencë të pandershme, propagandë, duke krijuar kaos nëpër institucione dhe të ndikojë në shpërbërje të shoqërisë.

Kërcënimi prej AI dhe daljes jashtë kontrollit njerëzor, duke konsideruar dhe mungesën e rregullimit me ligj e rregulla, është vërtet i madh dhe real. Përfshihen dhe rreziqe të tjera me të cilat njerëzit përballen, që janë ndryshimet klimatike, armët bërthamore, pandemitë në rritje si pasojë edhe e tejshfrytëzimit të burimeve natyrore.

Pra, njeriu krijoi një instrument me synimin e mirë për ta ndihmuar, por sikurse ka ndodhur, duke vënë në rrezik veten nga krijesa e tij. Dhe duket se fundi vërtet mund të arrijë si pasojë e vetëshkatërrimit, një autogol për specien më inteligjente të tokës.

Ndërkohë që tashmë jehona e alarmit të lëshuar nga komuniteti shkencor është në rend të ditës, çka ka lëvizur të gjitha shtresat më të larta, për të përdorur instrumentet për tutelë. Altman dhe dy drejtues të tjerë të OpenAI kanë publikuar çdo ditë mendimet e tyre në lidhje me këtë fenomen, duke u shprehur në favor të hartimit e miratimit të ligjeve që të kenë të drejtë t’u kërkojnë krijuesve të modeleve të AI më të avancuara të regjistrohen për të marrë një licencë për përdorimin, të rregulluar nga qeveritë.

Gjithashtu sugjerojnë bashkëpunimin e domosdoshëm mes subjekteve industriale të fushës, dhe krijimin e një organizate ndërkombëtare për sigurinë e AI, të ngjashme me atë për Energjinë Atomike AIEA, një organ suprem që të vigjilojë mbi drejtimin, aplikacionet dhe sigurinë.

Situatë alarmante dhe me jehonë ndërkombëtare ka shpërthyer gjatë javës që po lëmë pas, dhe shkencëtarët njëzëri, përfshirë vetë krijuesit e AI, njëzëri përsërisin se AI është tashmë në rrugën jashtë kontrollit, dhe nuk e kemi ende idenë se çfarë na pret, duke supozuar skenarë apokaliptikë për mbarë njerëzimin.

Ndërgjegjësim ka kërkuar edhe mbreti i Britanisë së Madhe Charles II, por edhe krerët e organizatave ndërkombëtare. Është hedhur madje ideja edhe e fikjes totale të AI dhe shkatërrimit të saj, por nuk dihet se si mund të ndodhë dhe çfarë vjen më pas.

Një tjetër fakt shqetësues janë sulmet atomike surprizë, pasi në një simulim kjo ka qenë zgjedhja e ftohtë e disa programeve të AI, në kuadër për të risjellë paqen në botë.

Deklaratë tjetër shqetësuese është ajo e Mustafa Suleyman, kreu i AI te Microsoft, që thotë se, nëse nuk merren masat e duhura të sigurisë, progresioni i inteligjencës artificiale mund të sjellë lindjen e një specieje prej siliciumi, në konkurrencë me qenien njerëzore.

Gjithsesi, opinioni publik akademik e politik ndërkombëtar po ndahet në dy grupe të mëdha, në skeptikë që janë të parët dhe liberalë e pro-AI që zakonisht janë këta të fundit, pra politika.

Klan News

/tvklan.al