Belgu mahnit me numrat, shënon gol çdo 118 minuta

Inter po bën një sezon fantastik dhe meritën për këtë formë e ka padiskutim, Romelu Lukaku. Golat e shënuar  prej tij në kampionat janë 44 në 64 ndeshje. Ndikim absolut për botën zikaltër, që pakkush mund ta kishte imagjinuar, përveç trajnerit, Antonio Conte.

Për këtë arsye, trajneri insistoi aq shumë për ta sjellë belgun në Milano dhe kur mundet e thekson këtë gjë me krenari. Lukaku u integrua menjëherë në “San Siro”, duke hyrë në zemrat e tifozëve të Interit.

Rrugët e merkatos janë të pafundme dhe është e pamundur të parashikosh se çfarë do të ndodhë, por e ardhmja e Romelu duket se është vetëm zikaltër.

Duke parë sulmuesit zikaltër në mijëvjeçarin e ri, vetëm dy kanë shënuar 44 gola në Serie A, më shpejt se Lukaku. Numri një është Vieri, të cilit i’u deshën tetë sfida më pak se belgu për të arritur këtë moment të rëndësishëm.

I dyti është “Fenomeni”, Ronaldo. 44 golat e parë të brazilianit në Serie A kanë ardhur në 63 ndeshje, vetëm një më pak se “Big Rom”.

Lukaku është golashënuesi i 23-të i Interit deri më tani, me 61 “rrjeta” në të gjitha garat. Për mesataren e golave për ndeshje me fanellën e Interit, Lukaku është i nënti me 0.69 gola për ndeshje, e përkthyer në një gol çdo 118 minuta. Ajo që do konfirmonte se kjo dyshe po funksionon do ishte titulli dhe duket se pak rrugë ka mbetur deri në atë pikë.

Klan News