Lazio është finalisti tjetër i Kupës së Italisë dhe do të sfidojë Interin më 13 maj për trofeun. Skuadra kryeqytetase mundi pas 11-metërshave Atalantën të mërkurën në stadiumin “Olimpico”.
Ashtu si edhe sfida e parë e luajtur në Bergamo, edhe koha e rregullt e ndeshjes së mbrëmshme nuk pati fitues, duke përfunduar 1-1. Për lacialët, në minutën e 84-të shënoi Romagnoli, ndërsa dy minuta më vonë barazoi Pašalić.
As 30 minutat shtesë nuk arritën të nxirrnin një fitues, ndaj për të përcaktuar finalistin e dytë të kupës u gjuajtën penalltitë, ku portieri i ri i Lacios, Edoardo Motta, u kthye në një hero duke pritur katër prej tyre.
“Jam shumë i emocionuar. Nuk më kishte ndodhur më parë”, tha Motta.
Për bergamaskët ishte në fushë Berat Gjimshiti, ndërsa te lacialët Elseid Hysaj qëndroi në stol. Finalja e Kupës së Italisë mes Interit dhe Lacios përsëritet pas 26 vitesh, kur kampioni vendosej pas dy takimeve. Në atë rast, trofeu u fitua nga skuadra kryeqytetase.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
